Punonjësit e gjelbërimit në Vlorë protestojnë përpara Bashkisë, shkak shkrirja e drejtorive

Rreth 60 punonjës të Ndërmarrjes së Gjelbërimit dolën këtë të hënë në një protestë përpara Bashkisë së Vlorës.

Shkak për protestën është bërë shkrirja e dy drejtorive, asaj të Pastrimit dhe të Gjelbërimit, në një të vetme. Sipas punonjësve, kontrata e re i detyron ata të kryejnë edhe punët e pastrimit, ndërkohë që kërcënohen me largim nga puna nëse nuk i pranojnë këto detyra.

Punonjësit deklarojnë se, sipas kushteve të reja, duhet të jenë në gatishmëri 24 orë për situata të ndryshme, ndërkohë që theksojnë se nuk e kanë parë dhe nuk u është prezantuar zyrtarisht kontrata e re.

Ata shprehen se do të vijojnë protestën dhe nuk do të rikthehen në punë deri në arritjen e një marrëveshjeje. Sipas tyre, kërcënimi me largim nga puna është i pranishëm nëse nuk pranojnë kushtet e reja të kontratës.

Pas protestës para Bashkisë së Vlorës, ata kanë kërkuar një takim në Prefekturë ndërsa janë pritur nga Evis Allushi, e cila u shpreh se mbledhja do të protokollohet dhe se do t’i drejtohet Bashkisë së Vlorës për informacion zyrtar mbi situatën.

Ndërkohë, punonjësit deklaruan se aktualisht ndodhen pa punë. Ata i kanë bërë me dije prefektes se nuk u janë dhënë pagesat për ditët e festave, ndërsa theksuan se nuk mund t’u kërkohet qytetarëve të paguajnë taksën e gjelbërimit në një kohë kur ky shërbim po shkrin.

Punonjësit e Gjelbërimit u shprehën se do të vijojnë protestën edhe në orët në vijim, por paralajmëruan se rrezikojnë të mbeten pa punë nëse nuk firmosin kontratën e re.