Diktatori çeçen në grahmat e fundit? Nis beteja për pasardhësin e ‘qenit’ të Putinit

Nga Karen von Guttenberg, BILD

Ai duket më afër vdekjes se sa jetës. Brutali diktator i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov (49 vjeç), thuhet se është lidhur me një aparat dialize për shkak të dështimit të veshkave, raporton shërbimi sekret ukrainas. Anëtarë të familjes thuhet se po vijnë në masë për ta vizituar edhe një herë “qenin e gjakut” të Putinit. Ai dyshohet se ndodhet në një spital privat në Çeçeni.

Duke marrë parasysh gjendjen e dobët shëndetësore, Kremlini thuhet se është duke kërkuar me ngut një pasardhës për përfaqësuesin e Putinit. “Kandidatët më të mundshëm dhe më të përshtatshëm për Kremlinin janë Magomed Daudov, Apti Alaudinov dhe djali më i madh i Ramzanit, Akhmat Kadyrov”.

Magomed Daudov (45 vjeç) është kryeministër i Republikës Çeçene që nga maji 2024. Nga viti 2015 deri në 2024 ishte president i parlamentit çeçen. Daudov konsiderohet një nga personalitetet më me influencë në Çeçeni dhe i përket rrethit më të ngushtë të Kadyrov. Ai, gjithmonë i veshur me të zeza, thuhet se ka marrë nga Kadyrov pseudonimin “Lord”.

Apti Aronoviç Alaudinov (52 vjeç) është një oficer rus me origjinë çeçene. Ai është gjeneral-major dhe komandon njësinë speciale “Akhmat”, pjesë e Gardës Kombëtare Ruse, e cila kryen krime të rënda në Ukrainë. Për shkak të shkeljeve të shumta të të drejtave të njeriut, ai është futur në listën e sanksioneve të Kongresit Amerikan.

Por edhe djali 20-vjeçar i Kadyrov, Akhmat, ka shanse të mira për të marrë fronin e babait të tij. Ai tashmë është zv/president i qeverisë së republikës, ndërkohë që mban edhe postin e ministrit të sportit.

Ramzan Kadyrov është “qeni i zinxhirit” i Putinit në Çeçeni, i cili sundon vendin me brutalitet, shtypje, tortura dhe ekzekutime që nga maji 2007.

Të tre kandidatët do të ndiqnin pa probleme hapat e tij të përgjakshëm. Megjithatë, ekspertët dyshojnë nëse dy më të mëdhenjtë do t’i nënshtroheshin Kadyrovit të ri dhe parashikojnë që tani luftë për pushtet.