Fierza rrezikon kuotën maksimale, liqeni vetëm 3 metra larg – Prurjet 900 m³/s
Vetëm 3 metra dhe liqeni i Fierzes arrin kuotën maksimale prej 296 metrave mbi nivelin e detit. Sipas të dhënave nga HEC-i i Fierzes, prurjet aktualisht janë 900 metra kub ujë në sekondë, ndërsa kuota aktuale 292.7 metra mbi nivelin e detit.
Vetëm në 24 orët e fundit liqeni është rritur me 2 metra, kjo për shkak të prurjeve të shumta si rezultat i reshjeve të shiut dhe dëborës gjatë javës së kaluar.
Nëse prurjet do të vijojnë me të njëjtin ritëm, pritet që brenda dy ditëve liqeni i Fierzes të arrijë kuotën maksimale, duke nënkuptuar balancimin e sasive të prurjeve me ato të shkarkimit përmes turbinave, por edhe shkarkimet anësore.
Hidrocentrali i Fierzes punon me kapacitet të alternuar për prodhimin e energjisë. Duke parë sasinë e prurjeve që vjen në liqenin e Fierzes me 900 metra kub ujë në sekondë, hidrocentrali duhet të prodhojë energji elektrike me kapacitet të plotë në katër turbinat, nga të cilat shkarkohen në total 600 metra kub ujë në sekondë.
Pjesa tjetër e tepricave nga prurjet prej 300 metra kub ujë në sekondë shfrytëzohet për rezervën ujore, por për të ruajtur balancën, Fierza duhet të shkarkojë një sasi uji nga portat e shkarkimit.