Bruno Fernandes-it i vjedhin llogarinë në X, Man. United sqaron tifozët
Manchester United u detyrua të publikojë një deklaratë zyrtare pasi llogaria X e kapitenit Bruno Fernandes u hakua, pak orë pas eliminimit surprizë të “Djajve të Kuq” nga Brighton në rrethin e tretë të FA Cup.
Hakeri mori kontrollin e llogarisë së portugezit dhe postoi një seri mesazhesh të çuditshme, përfshirë komente fyese për futbollisten gjermane Alisha Lehmann dhe aktoren për të rritur, Bonnie Blue. Një postim tjetër sfidoi ‘yllin’ e darts-it dhe tifozin e United, Luke Littler, në një “1V1”. Më shumë jehonë mori mesazhi “Let’s get rid of INEOS”, i cili u shpërnda shpejt në platformën dikur të njohur si Twitter.
Klubi i Manchester United ndërhyri duke paralajmëruar tifozët: “Llogaria X e Bruno Fernandes është hakuar. Tifozët nuk duhet të ndërveprojnë me postimet apo mesazhet direkte deri në njoftim të mëtejshëm.”
Deklarata e klubit duket se e zemëroi hakerin, i cili përmendi Sir Jim Ratcliffe dhe kompaninë INEOS, duke sugjeruar se mund të jetë një tifoz i Manchester United. Hakeri iu përgjigj deklaratës së klubit: “F**k, jo, do ta përhap lajmin”. Disa nga postimet u fshinë, por ende nuk është e qartë nëse llogaria është rikthyer nën kontrollin te Fernandes-it dhe stafi i tij.
Hakimi i llogarisë erdhi në një moment të vështirë për Fernandes dhe ekipin, pas humbjes 2-1 në ‘Old Trafford’kundër Brighton-it, ku golat e shqiptarit Brian Gruda dhe ish-lojtarit të akademisë, Danny Welbeck, çuan ‘Seagulls’ në raundin e katërt të FA Cup dhe shtuan presionin mbi trajnerin e përkohshëm, Darren Fletcher.
Tani, Manchester United përgatitet për ndeshjen e ardhshme në Premier League, kundër Manchester City të shtunën në “Theatre of Dreams”, ku Fernandes dhe shokët e tij do të kërkojnë rikuperimin pas ditës së trazuar të fundit.