Infantino zgjedh ‘Golin e Shekullit’ të Maradonës si më të bukurin në historinë e Botërorëve
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka surprizuar me përgjigjen e tij kur u pyet se cili është goli më i bukur në historinë e Kampionateve Botërore. Kreu i institucionit më të lartë të futbollit botëror nuk pati asnjë hezitim, duke zgjedhur një nga momentet më ikonike të këtij sporti: golin e dytë të Diego Armando Maradonës kundër Anglisë, të shënuar në Kupën e Botës “Meksikë 1986”.
“Goli i dytë i Maradonës kundër Anglisë. Unë vetë nuk do të kisha mundur kurrë të shënoja një gol më të bukur”, u shpreh Infantino, duke iu referuar aksionit legjendar që njihet botërisht si “Goli i Shekullit”.
Numri një i FIFA-s e cilësoi atë realizim si diçka përtej një goli të zakonshëm, duke theksuar vlerën e tij historike dhe emocionale. “Disa gola janë thjesht të paharrueshëm. Ishte një moment gjenialiteti, kreativiteti dhe guximi, që përkufizon se çfarë është futbolli. Një gol që nuk mund të kishte qenë më i bukur”, shtoi Infantino.
Goli i Maradonës, i shënuar pas një serie driblimesh të jashtëzakonshme nga mesi i fushës, ku ai kaloi pesë lojtarë anglezë përpara se të mposhtte portierin, mbetet një nga imazhet më të famshme në historinë e Kupës së Botës. Për shumë tifozë dhe ekspertë, ai realizim simbolizon esencën e futbollit: talentin individual, fantazinë dhe guximin në momentet vendimtare.
Deklarata e Infantinos vetëm sa përforcon statusin legjendar të Maradonës dhe trashëgiminë e tij të pavdekshme në futbollin botëror, duke rikujtuar pse ai vazhdon të konsiderohet një nga figurat më të mëdha që ka njohur ndonjëherë ky sport.