Situata e qëndrueshme në qarkun Kukës, akset rrugore të hapura. Temperaturat mbeten të ulëta

 

Temperaturat e ulëta vijojnë të jenë elementi kryesor i situatës në qarkun Kukës, ndërsa kushtet e motit paraqiten të qëndrueshme dhe pa problematika të reja madhore.

Gjatë gjithë periudhës së reshjeve të borës, subjektet kontraktore kanë vijuar punën pa ndërprerje për pastrimin dhe kriposjen e segmenteve rrugore ku janë shfaqur vështirësi, duke bërë të mundur mbajtjen funksionale të infrastrukturës.

Aktualisht, të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme, ndërsa nga bashkitë Kukës, Tropojë dhe Has nuk raportohen problematika apo bllokime.

Sa i përket shërbimeve bazë, i gjithë qarku furnizohet normalisht me energji elektrike, ndërsa furnizimi me ujë të pijshëm vijon sipas orareve të përcaktuara nga DRUK Kukës, për shkak të kushteve klimatike.