Cañizares paralajmëron Lamine Yamal-in: E pret viti më i vështirë dhe një jetë krejt e re

Ish-portieri i njohur spanjoll, Santiago Cañizares, ka dhënë një paralajmërim të sinqertë për Lamine Yamal-in, pas triumfit të Barcelonës ndaj Real Madridit në Superkupën e Spanjës. Në emisionin “El Partidazo” të Cadena COPE, Cañizares theksoi se 18-vjeçari po hyn në fazën më delikate të karrierës së tij, atë që ai e quan “viti i konfirmimit”.

“Unë besoj se Lamine Yamal ndodhet në vitin më të vështirë të karrierës së tij. Ai duhet të konfirmojë gjithçka që bëri sezonin e kaluar, pasi ka shkëlqyer në një nivel shumë të lartë. Kjo është jashtëzakonisht e vështirë”, u shpreh Cañizares. Sipas tij, përveç presionit sportiv, lojtari i ri i Barcelonës po përballet edhe me ndryshime të thella në jetën personale.

Cañizares nënvizoi se bëhet fjalë për një transformim të plotë: social, ekonomik dhe psikologjik. “Kontratat, reklamat, angazhimet, eventet… gjithçka ndryshon. Shoqëria nuk të lejon më të jesh i njëjti person. Nuk mund të dalësh lirshëm për të pirë një kafe apo të shëtisësh qenin në park si më parë”, theksoi ai, duke shtuar se ka parë shumë lojtarë të mëdhenj që kanë vuajtur pikërisht në këtë fazë.

Ish-‘gardian’i, 46 herë përfaqësues i Spanjës, e ilustroi ndryshimin edhe me shembuj konkretë: “Më parë të telefononte bankieri për të të tërhequr vëmendjen, tani të telefonon për të të ofruar fonde investimi. Ka një mijë gjëra të reja që të rrethojnë”.

Në këtë kontekst, Lamine Yamal, nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick te Barcelona, pritet të përballet jo vetëm me sfida në fushë, por edhe me menaxhimin e një statusi të ri si ‘yll’ i futbollit botëror.