Oklahoma forcon kryesimin, ndalen Spurs dhe Warriors, suksese për Denver-in dhe Phoenix-in
Oklahoma po tregon gjithnjë e më shumë forcën e një ekipi kampion, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi dhe duke nisur shkëputjen në krye. Skuadra e Thunder triumfoi 124-112 ndaj Miami në një përballje me ritëm të lartë dhe rivalitet të dukshëm. Lider absolut për vendasit ishte Shai Gilgeous-Alexander, i cili realizoi 29 pikë dhe udhëhoqi ekipin drejt një tjetër suksesi të rëndësishëm.
Ndeshje dramatike u zhvillua në Toronto, ku Raptors fituan pas kohës shtesë 116-115 ndaj Philadelphia. Protagonist kryesor ishte Scottie Barnes me 31 pikë, duke qenë vendimtar në momentet vendimtare të sfidës.
Zhgënjim për San Antonio Spurs, që u mposhtën në sekondat e fundit 104-103 në fushën e Minnesota-s. Për Timberwolves u dallua Anthony Edwards me 23 pikë, duke i dhënë fitoren ekipit vendas në një duel shumë të ekuilibruar. Nuk po bind as Golden State Warriors, të cilët pësuan një tjetër humbje, këtë herë 124-111 në shtëpi ndaj Atlanta Hawks. Për miqtë, tre lojtarë realizuan mbi 20 pikë, duke treguar superioritet kolektiv.
Fitore me peshë arriti Denver Nuggets, që mposhtën 108-104 Milwaukee Bucks. Hardaway me 25 pikë dhe Gordon me 23 pikë ishin vendimtarë për Denverin, duke neutralizuar performancën e shkëlqyer të Giannis Antetokounmpo-s, autor i 31 pikëve për Bucks. Sukses të qetë regjistruan edhe Phoenix Suns, që falë një loje të organizuar mirë fituan 112-93 ndaj Washington Wizards.
Rezultatet:
Orlando – New Orleans 128-118
Memphis – Brooklyn 103-98
New York – Portland 114-123
Toronto – Philadelphia 116-115
Minnesota – San Antonio 104-103
Oklahoma – Miami 124-112
Denver – Milwaukee 108-104
Phoenix – Washington 112-93
Golden State – Atlanta 111-124
Sacramento – Houston 111-98