Pas alarmit në media reagojnë institucionet: Tre fëmijët nën kujdes mjekësor në Spitalin e Durrësit ku mbërrin dhe nëna e tyre, e proceduar penalisht

Pas denoncimit të publikuar në media lidhur me braktisjen e mundshme të tre fëmijëve nga nëna e tyre, Shërbimi Social Shtetëror ka reaguar në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Operatorin e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor.

Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet kanë marrë deklaratat përkatëse nga nëna, fëmijët dhe gjyshja e tyre, me qëllim verifikimin e plotë të situatës.

Pak minuta më parë, tre fëmijët janë dërguar në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku po qëndrojnë nën kujdesin e mjekëve. Ata janë shoqëruar edhe nga nëna e tyre, ndërkohë që u është siguruar ushqimi dhe veshmbathja e nevojshme.

Në vijim, pritet të mblidhet Grupi Teknik Ndërsektorial, i cili do të vendosë mbi masat e mëtejshme që do të ndërmerren për garantimin e mbrojtjes dhe mirëqenies së fëmijëve.

Deklarata e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: 

Durrës, 11 janar 2026 - Pas sinjalizimit nga media ditën e sotme, mbi braktisjen e mundshme të tre fëmijëve nga nëna e tyre, Shërbimi Social Shtetëror, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Operatorin e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor mori deklaratat përkatëse nga nëna, fëmijët dhe gjyshja e tyre.

Pak minuta më parë, tre fëmijët kanë mbërritur në Spitalin Rajonal Durrës, ku po qëndrojnë nën kujdesin e mjekëve, të shoqëruar edhe nga nëna, ndërkohë që iu është siguruar ushqim dhe veshmbathja e nevojshme.

Në vijim, do të mblidhet Grupi Teknik Ndërsektorial, për të vendosur mbi masat e mëtejshme për mbrojtjen e fëmijëve.