Braktisi 3 fëmijët në Durrës/ SYRI siguron FOTO-n dhe EMRI-n e mamasë, nis procedimi penal për 33-vjeçaren
Një ngjarje horror u raportuan pasditen e sotme nga SYRI në lidhje me braktisjen e tre fëmijëve të mitur, pasi e ëma i kishte lënë prej 3 ditësh pa ushqim, pa përkujdesje dhe vetëm në këto kohë të ftohta dimri.
SYRI ka siguruar foton dhe emrin e mamasë së tre fëmijëve të mitur fatkeq, të cilët gjendeshin të braktisur në apartamentin e tyre në zonën e plazhit në Durrës.
Fëmijët janë gjetur të mbuluar me batanije nga i ftohti ndërsa burime për media raportojnë se fëmijët kishin 3 ditë pa ngrënë, në shtëpinë e tyre nuk kishte ujë dhe rreth 1 muaj pa shkuar në shkollë.
E ëma, Blerina Basha është larguar, por është gjetur nga policia dhe është shoqëruar për një komisariat për të dhënë shpjegime të mëtejshme për ngjarjen e rëndë.
Tashmë fëmijët janë marrë nën kujdesin e organeve përkatëse ndërsa i janë nënshtruar dhe ekzaminimeve mjekësore nga ku kanë rezultuar me probleme shëndetësore për shkak të mosushqyerjes për disa ditë.
Njoftimi/ “Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetases B. B., 33 vjeçe, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturve”.
Procedimi penal nisi pasi ditën e sotme, rreth orës 17:20, është paraqitur shtetasja D. V., e cila ka deklaruar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte, rasti i publikuar dhe në rrjete sociale.
Nga ana e shërbimeve të Policisë, në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, u bë e mundur marrja në mbrojtje e tre fëmijëve, të cilët u dërguan në spital për ekzaminime mjekësore dhe më pas u morën në kujdes nga Qendra e Mbrojtjes së Fëmijëve Durrës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Shtëpia është gjetur e shkatërruar me rroba të hedhura kudo. Burimet për media raportojnë se mes nënës së fëmijëve dhe gjyshes nga ana e babait ka pasur një konflikt, pasi kjo e fundit ka dashur të marrë fëmijët.