'Efekti Trump'/ Burimi: Irani dhe Shqipëria, protestat forcohen kur ndihet mungesa e mbështetjes amerikane për qeveritë

Irani ndodhet në një pikë vlimi, teksa protesta masive kanë përfshirë vendin dhe tensionet me Shtetet e Bashkuara arrijnë nivele alarmante.

Në një kohë kur flitet për një goditje të re të mundshme ushtarake amerikane, analisti Genc Burimi e përshkruan situatën e brendshme në Iran si potencialisht “historike” dhe një pikë pa kthim për regjimin aktual.

Sipas analistit, revolta aktuale është masive dhe ka një shkallë të paprecedentë, me raportime të pakonfirmuara që flasin për rreth 2000 viktima. Vështirësia në marrjen e informacionit të saktë vjen si pasojë e bllokimit total të internetit nga ana e autoriteteve, një lëvizje që synon të izolojë protestuesit dhe të fshehë shkallën e vërtetë të dhunës.

“Nëse ka 2000 të vdekur, diçka është prerë. Nëse ky regjim bie, do të përcaktohet e ardhmja e Iranit për gjysmë shekulli,” thekson ai. Ndryshe nga protestat e mëparshme, kjo valë trazirash ka në themel arsye të thella ekonomike, të shkaktuara nga një krizë e rëndë e monedhës vendase. Një element kyç dhe tejet domethënës është përfshirja e tregtarëve të Pazarit të Teheranit

. Kjo shtresë, e njohur si “bazaritët”, historikisht ka qenë një aleate e fuqishme e regjimit të mullahëve që prej revolucionit të vitit 1979. Përfshirja e tyre në protesta sinjalizon një çarje të thellë brenda bazës tradicionale të pushtetit, duke i dhënë revoltës një peshë serioze politike dhe sociale.

Në një analizë më të gjerë gjeopolitike, Burimi argumenton se ngjarjet në Iran nuk mund të shihen të shkëputura nga ajo që ai e quan “efekti Trump”. Sipas tij, veprimet e administratës amerikane, si për shembull në Venezuelë, po u japin shpresë dhe kurajë popujve të shtypur në mbarë botën.

Ideja është se një rezistencë e fortë e brendshme mund të tërheqë më lehtë mbështetjen e jashtme. “Nëse ne i japim një dorë nga brenda, do ta kemi më kollaj edhe nga jashtë,” shpjegon ai, duke tërhequr një paralele edhe me situatën politike në Shqipëri, ku lëvizjet popullore forcohen kur perceptohet një mbështetje ndërkombëtare.

Situata mbetet tejet e paqëndrueshme. Irani gjendet në udhëkryq, i shtrënguar mes një revolte të brendshme që përfshin shtresa jetike të shoqërisë dhe një presioni të jashtëm në rritje. Sipas Burimit, rezultati i kësaj përplasjeje është i paqartë, por pasojat e tij pa dyshim do të jenë historike, jo vetëm për vendin, por për të gjithë Lindjen e Mesme.

Burimi:

Mendoj se po përjetojmë diçka që mund të jetë historike për Iranin. 

ka patur kryengritje dhe më parë, por kësaj here është masive. Bëhet fjala për 2000 të vdekur, por meqë s'ka internet, nuk ka lidhje me OJQ-të nga atë vend, s'mund të konfirmohet. Por kësaj here duket diçka që do e ketë vështirë të ketë kthim mbrapa. Nëse ka 2000 të vdekur, diçka është prerë. Pra, është historike sepse po ra ky regjim, kjo do të përcaktojë të ardhmen e Iranit për gati gjysëm shekulli në shekullin që vjen.

Por, ka shumë gjëra për të thënë. Jemi në aspektin e hipotezave. Ka... gjëra për të thënë për Iranin, për popullin, për qeverinë e Iranit, për Amerikën, për Evropën, kështu që duhet t'i marrim me radhë.

Po, s'duhet shkëputur ky element i i pazarit, keni shumë të drejtë sepse është një lloj barometri i gjendjes shpirtërore, në thonjëza, të popullit iranian që, domethënë është ajo shenja që ka ardhur apo jo në majë të hundës. Pra, nuk duhet shkëputur ky barometër që është pazari, me atë që ndodhi në Venezuelë. Domethënë, ishte si të thuash veprimi i Trumpit në Venezuelë që po i jep shpresë këtyre popujve të shtypur, që nëse neve i japim një ndihmë nga brenda, një dorë nga brenda, do ta kemi dhe mbase dhe më kollaj nga jashtë që dhe të huajt kësaj here do të na ndihmojnë sepse po i vjen fundi.

Pak a shumë si në Shqipëri. Dhe në Shqipëri, po ta vësh re, këto manifestime po bëhen më më të masive në Shqipëri, më të forta, sepse ndihet po ashtu që dhe kjo qeveri shqiptare nuk e ka më atë, si të thuash, mbështetje që e kishte më parë tek qeveria amerikane. Pra, kjo është shumë e lidhur. Mos harroni dhe një herë, kjo që po ndodh në Iran, efekti Trump, për mirë apo për keq.

E dyta, ajo që po ndodh në Iran, dhe dua ta lidh pak me Shqipërinë. Është shumë interesante sepse, në Shqipëri kur rrëzuam komunizmin, bashkë me komunizmin, po ta vëmë re me Kosovën, gjithmonë na ka bërë përshtypje te kosovarët, shqiptarët e Kosovës, një lloj patriotizmi, një lloj shqiptarizmi, apo jo, shumë më i fortë se në Shqipëri.

Të paktën në vitet që pasuan pas rënies së diktaturës. Më kujtohet për shembull kur vinin makinat e bukura në Kosovë, hapej xhami i makinës, prisnim të dëgjonim Madonnën, dëgjonim, dëgjonim këngë me çifteli. Domethënë, pse? Sepse në Kosovë regjimi i Millosheviçit ua kishte mohuar patriotizmin, flamurin, shqiptarizmin dhe kjo i mungonte atyre. Në Shqipëri e kundërta, regjimi komunist shqiptar na kishte mbushur me patriotizëm, ishte nacional-komunizëm. Dhe kështu që duke hedhur komunizmin, hodhëm dhe nacionalizmin.