Deputetët e PD-së në zonën e përmbytur të njësisë Ana e Malit, akuza Benet Becit
Deputetët e Partisë Demokratike kanë zhvilluar këtë të dielë një inspektim në zonën e përmbytur të njësisë Ana e Malit. Deputeti Luçiano Boçi tha se raportimet nga bashkia janë të rreme pasi ka më shumë sipërfaqe të përmbytur, me rreth 1 mijë hektarë sipas banorëve.
Duan të shmangin përgjegjësitë shtoi Boçi, i cili hodhi akuza ndaj Benet Becit, duke kërkuar më shumë investim nga bashkia. Ndërkohë, Boçi dha një koment edhe për akuzat e SPAK ndaj Becit, ku tha se dorëheqja e tij duhej të ishte dhënë më herët.
Deputeti Bardh Spahia tha se mungon vëmendja e institucioneve ndaj banorëve.
Ndërsa deputetja Greta Bardeli u ndal tek çështja e dëmshpërblimeve, teksa kujtoi se PD vazhdimisht ka prezantuar amendamente për dyfishimin e dëmshpërblimeve.
Deputetët e PD u takuan me banorë të zonës të cilët shprehën ankesat e tyre për mungesën e mbështetjes nga bashkia.
Situata në zonën Ana e Malit vijon të jetë e vështirë me qindra hektarë tokë nën ujë, ku dëmet në bujqësi janë të mëdha.