Pyetjet e munguara nga studiot shqiptare për Lea Ypin
Debati mbi ndërhyrjen e jashtme në politikë fokusohet pothuajse gjithmonë tek ndërhyrja për rrëzim regjimi, ndërsa injoron një formë shumë më të përhapur dhe më të rrezikshme, ndërhyrjen për ta mbajtur regjimin. Kjo ndërhyrje nuk vjen me helikopterë dhe tanke, por me deklarata, presione, heshtje selektive dhe imunitet politik.
Debati nuk prodhon gjë nëse shtrohet ka apo jo ndërhyrje, por për kë shërben ndërhyrja dhe kundër kujt?
Në disa prej intervistave me akademiken Lea Ypi, çështja mbi ndërhyrjen e jashtme në Venezuelë është ndërtuar mbi një mangësi jo të vogël konceptuale, aq më tepër kur zhvillohet në studio televizive shqiptare.
Sepse ndërhyrja është trajtuar ngushtë, e izoluar, në gjysmë dritë dhe me krahasime si në rastin e Gaddafit në Libi. Pra ndërhyrja, nga studio televizive në Tiranë shihet problem vetëm kur rrëzon një regjim, ama jo kur po ndërhyrja e jashtme mbron, stabilizon regjimin dhe e riprodhon atë. Kjo mangësi ekzistenciale e ka zhveshur sovranitetin nga përmbajtja reale dhe do duhej të meritonte po të njëjtën vëmendje.
Lea Ypi argumenton se ndërhyrja e jashtme për rrëzim pushteti, si në rastin e SHBA-së ndaj Maduros përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe mund të prodhojë dështim shteti, si në Libinë e pas Muammar Gaddafit.
Nëse gazetarëve tanë u ka shpëtuar kjo pyetje, do të ishte shumë e dobishme prej Ypit ta trajtonte edhe vetë për hise të argumentit:
Çfarë ndodh kur ndërhyrja e jashtme nuk e rrëzon, por e konsolidon një pushtet që shkel ligjin?
Në demokracitë hibride, pushteti nuk mbahet më me grusht shteti, por me ndikime e ndërhyrje selektive, që nga presionet informale mbi aktorë politikë të opozitës e deri tek tolerimi ndërkombëtar i paligjshmërive për hir të “stabilitetit”. Madje deri në shkelje të konventave ndërkombëtare, që siç pohon Ypi në rastin e Venezuelës janë dashur dekada për t’i ndërtuar e vënë në funksion.
Këto janë ndërhyrje dhe shkelje reale, por të padukshme. Dhe janë edhe më të rrezikshme, sepse nuk prodhojnë kaos si në rastin e Libisë që përmend Ypi, por normalizojnë kapjen e shtetit, nxjerrin jashtë funksionit zgjedhjet dhe krijojnë “monstra” të pasfidueshëm deri në narkoshtet si në rastin e Shqipërisë.
Do të ishte dashur që moderatorët, kryesisht të programeve politike të sillnin në vëmendje të të ftuarës rastin McGonigal, që tregoi qartësisht se kanale të huaja deri në nivelet e agjensive ligjzbatuese janë përdorur për të ndikuar drejtpërdrejt në politikën e brendshme shqiptare.
Këtu kemi shkelje të trefishtë të sovranitetit politik, sepse aktorë të huaj ndikuan në garën e brendshme, në barazinë demokratike, sepse opozita u trajtua si objekt sigurie dhe në parimin e mosndërhyrjes, sepse u përdor influencë e huaj për interesa pushteti. Kur një kryeministër përfiton nga këto mekanizma për të forcuar regjimin, ai nuk është më viktimë e ndërhyrjes, por përfituesi i saj.
Një tjetër rast flagrant i shkeljes së konventave ndërkombëtare është ai i ish ambasadores Yuri Kim, që përfaqëson një tejkalim të qartë të rolit diplomatik, në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Do të duhej të ishte pyetur për hir të argumentit Ypi edhe për rastin shqiptar e jo vetëm venezuelian ku ndërkombëtarët shkelin sipas analizës së saj konventat. A është dëm ekzistencial për një shtet kur një ambasadore amerikane etiketon aktorë politikë vendas, kur dikton kush është i pranueshëm dhe kush jo në politikën e brendshme, kur ndërhyn publikisht në proceset zgjedhore, parlamentare dhe partiake? A është ky ushtrim diplomacie, apo ndikim politik i drejtpërdrejtë?
Do duhej të qe pyetur Ypi për hir të argumentit nëse përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare kur diplomati merr pjesë në politikën e brendshme, përcakton legjitimitetin e aktorëve vendas dhe zëvendëson institucionet e një shteti sovran?
A është ky cedim aktiv sovraniteti nga qeveria shqiptare?
Do duhej të qe pyetje e pashmangshme për hir të argumentit mbi sovranitetin dhe ndërhyrjet në një shtet ajo mbi George Soros dhe rrjetin e tij përmes Fondacionit për Shoqërinë e Hapur, a e konsideron klishe apo teori konspirative? Nëse analizohet ftohtë dhe për hir të temës mund të pyetej Ypi për të si fenomen politik pasi në Shqipëri ky rrjet ka financuar dhe formuar elita ligjore, mediatike dhe institucionale, ka ndikuar përgatitjet mbi reformën në drejtësi, ka krijuar një ekosistem ideor dhe profesional që ka funksionuar në simbiozë me pushtetin.
Problemi nuk është ekzistenca e shoqërisë civile apo fondacionet, por tek nevoja e të kuptuarit më qartë realitetin shqiptar para atij venezuelian. Pyetje e munguar në studiot televizive të Tiranës do duhej të qe mbi një rrjet ideologjik që ka fituar status de facto autoriteti, që ndërmjetëson mes pushtetit vendas dhe aktorëve ndërkombëtarë, që vepron pa llogaridhënie demokratike. A është kjo ndërhyrje strukturore? Dhe a mund të quhet ndërhyrje edhe kur nuk rrëzon regjim, si ajo që bëri SHBA në Venezuelë, por stabilizon regjim si në Shqipëri?
Po për hise të pyetjes e argumentit që moderatorët shqiptarë i kanë drejtuar Ypit, mungoi një tjetër shqetësim yni, autokton e jo venezuelian mbi cënimin e sovranitetit të një vendi nga ndërhyrjet e jashtme edhe në një formë tjetër.
Në disa projekte strategjike si koncesione, investime strategjike, marrëveshje të mbyllura ligji shqiptar është anashkaluar, ndërsa interesat e huaja janë trajtuar si superiore ndaj rendit kushtetues.
A është ky bashkëpunim ndërkombëtar, apo dorëzim sovraniteti kur veç pala e huaj fiton, shteti humbet kontroll dhe qytetarit i zhvatet e drejta për të kërkuar llogari?
Nëse Libia dështoi me kaos siç pohon me të drejtë Ypi, do duhej të bëhej pyetja kryesore nga studiot televizive të Tiranës, a rrezikon Shqipëria të dështojë po njëlloj, jo për shkak të luftës civile, por sepse sovraniteti është cunguar, vendim-marrja është zhvendosur jashtë institucioneve, pushteti mbahet përmes aleancave të jashtme informale?
Nëse ndërhyrja për rrëzim pushteti dënohet, por ndërhyrja për mbajtje pushteti konsiderohet “partneritet”, a kemi të bëjmë me të drejtë ndërkombëtare? Çfarë mendon Ypi për këtë? Jo se e ka detyrim publik të shprehet për çdo pyetje tonën, porse iu drejtuan pyetje deri për Venezuelën e u gjegj deri me Libinë, në një kohë kur librat e saj të cilat promovohen e përkthehen në mbarë botën flasin për Shqipërinë e diktaturës. Ama ende nuk dimë ç’mendon profesoresha e LSE-së për Shqipërinë e regjimit.
Sovraniteti nuk humbet vetëm kur shteti shembet. Ndërhyrja nga jashtë nuk është problem vetëm kur sjell kaos. Do ta pyesja me kërshëri Ypin, nëse është problem edhe kur sjell stabilitet të rremë, duke i dhënë pushtetit jetë artificiale.
Simetria nuk është ideologjike, por demokratike. Për një akademik do qe i pamundur studimi i hipotezës mbi ndërhyrjet e jashtme mbi regjime, nëse përjashton ndërhyrjet e jashtme jo ushtarake mbi sovranitet dhe llogaridhënie institucionale kur ato shërbejnë për mbajtjen e një regjimi.
Pyetja e fundit e pashmangshme për Lea Ypin do duhej të qe, kur një kryeministër si Edi Rama pranon ndërhyrje të huaja që ndikojnë drejtpërdrejt në balancën e brendshme politike, lejon interesa të huaja që shkelin ligjet në fuqi dhe përdor mbështetjen ndërkombëtare si mburojë kundër llogaridhënies, çfarë i ka bërë Shqipërisë, e mban Të Lirë a Të Poshtëruar?