El Clasico për trofe: Barcelona dhe Real Madridi përballen në finalen e Superkupës së Spanjës

Futbollistët e Barcelonës dhe Real Madridit do të përballen sonte në stadiumin “King Abdullah” në Xheda, në finalen e Superkupës së Spanjës. Rivalët më të mëdhenj të futbollit spanjoll do të luftojnë për trofeun e tretë më të rëndësishëm në vend, pas titullit të La Ligës dhe Kupës së Mbretit, ndërsa tifozët presin edhe një tjetër spektakël futbollistik.

Të dyja skuadrat vijnë në këtë sfidë në formë të shkëlqyer. Barcelona ka regjistruar nëntë fitore radhazi në të gjitha garat, ndërsa Real Madridi ka pesë fitore rresht. Katalanasit siguruan finalen pas një fitoreje bindëse 5-0 ndaj Athletic Bilbaos në gjysmëfinale, ndërsa “Los Blancos” eliminuan rivalin e qytetit, Atletico Madridin, me rezultatin 2-1.

Ky do të jetë El Clasico i dytë i sezonit, pasi skuadrat janë përballur më herët në La Liga, ku Real Madridi triumfoi 2-1 në stadiumin “Santiago Bernabeu”.

Në historinë e El Clasicos janë zhvilluar gjithsej 262 ndeshje zyrtare: Real Madridi ka shënuar 106 fitore, Barcelona 104, ndërsa 52 përballje kanë përfunduar në barazim.

Finalja e sotme do të nisë në ora 20:00, sipas kohës lokale.