Mirditë/ Gërryerjet e vazhdueshme rrezikojnë infrastrukturën dhe banesat, fshatrat pa energji elektrike
Situata në Mirditë është përkeqësuar ndjeshëm si pasojë e reshjeve të fundit dhe avancimit të gërryerjeve nga Lumi Fan i Vogël. Në zonën Zall–Donaj, gërryerja e tokës bujqësore ka shkaktuar rrëzimin e shtyllave të tensionit të mesëm gjatë orëve të para të mëngjesit, vetëm një ditë pas spostimit të tyre nga OSHEE.
Si pasojë, fshatrat Ndërfanë, Gëziq, Kalanjan dhe Cekaj janë mbetur pa energji elektrike. Avancimi i gërryerjes po i afrohet rrugës së fshatit dhe banesave, duke rritur ndjeshëm rrezikun për jetën dhe pronat e banorëve.
Për situatën alarmante është kërkuar ndërhyrje urgjente nga Ministria e Bujqësisë, përmes mjeteve të Drejtorisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve (DRUK) në Lezhë, sipas kërkesës zyrtare të datës 09.01.2026, e cila është njoftuar dhe nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Një problem tjetër shqetësues është evidentuar në fshatin Jezull, ku gërryerjet e përroit kanë zbuluar tubacionin e ujësjellësit që furnizon Rrëshenin dhe zonat përreth. Ekziston rreziku i këputjes së tubacionit dhe, në rast të avancimit të mëtejshëm, edhe shembja e aksit rrugor që lidh disa fshatra.
Nga verifikimet e kryera nga Emergjencat Civile të Bashkisë Mirditë, pas reshjeve të dendura, janë evidentuar rrëshqitje toke në disa zona, të cilat përbëjnë një kërcënim serioz për banesat dhe pronat private të banorëve.
Autoritetet lokale bëjnë apel për ndërhyrje urgjente dhe vëmendje maksimale ndaj situatës, duke kërkuar ndihmën e institucioneve shtetërore për parandalimin e katastrofave të mëtejshme.