Elbasan/ Reshjet e shiut dhe borës shkaktojnë probleme në tokat bujqësore, rriten prurjet e lumenjve

Në qarkun Elbasan, gjatë natës janë regjistruar reshje shiu me intensitet mesatar dhe rrebeshe, ndërsa në zonat malore mbi 700 metra ka pasur reshje debore.

Në akset rrugore nacionale Elbasan-Qafë Thanë, Elbasan-Gjinar dhe Elbasan-Tiranë (aks i vjetër nga Krraba), trashësia e borës është prezente, por qarkullimi është i hapur dhe po vazhdon pastrimi me borëpastruese dhe hedhja e kripës. Në aksin Gramsh-Moglicë është raportuar renie guresh dhe inertesh, të cilat janë pastruar nga firma kontraktuese.

Gjatë natës janë regjistruar edhe rrëshqitje dhe renie të pemëve:

Aksi Elbasan-Gjinar: renie dherash.

Aksi Elbasan-Peqin: dy raste renie pemësh.

Aksi Elbasan-Cërrik: renie masivi dheu, ndërhyrja është bërë nga firma kontraktuese.

Prurjet e lumit Shkumbin mbeten të larta, por pa rrezik për banesat, po ashtu edhe përroj i Zaranikës dhe i Paprit. Shkarkimet nga HEC Banjë vijojnë në 290 m³/sek, ndërsa prodhimi i energjisë shkon në total 390 m³/sek.

Disa zona bujqësore vijojnë të jenë nën ujë: në Linas të Njësisë Administrative Mollas (Bashkia Cërrik) dhe në fshatin Shelg të Njësisë Administrative Grekan (Bashkia Belsh). Autoritetet vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet për pastrimin e rrugëve dhe kontrollin e prurjeve.