Akuza për korrupsion me paratë për kanalet dhe hidrovorët, Rama justifikohet: U përmbyt edhe Stambolli…

Kryeministri Edi Rama ka nisur episodin e radhës të podcastit të propagandës qeveritare “Flasim” ku së pari recitoi në lidhje me situatën e rëndë ku vendi ynë është prej ditësh tashmë me përmbytjet.

Kishte disa javë që nuk dilte të fliste. Akuzat për Ballukun e kishin lënë pa zë kreun e qeverisë. Tani siç duket ka kopsitur diçka në GJK për zëvendësen e tij e duket se po merr frymë. Të shikojmë se çfarë do të ndodhë.

Ai nuk harroi gjatë ditës së sotme që të vijonte projektin e tij të shpërlarjes së trurit të shqiptarëve. Edhe pse të gjithë inxhinieret dhe specialistët e situatave të përmbytjeve e kanë akuzuar qeverinë e tij dhe qeverisjen vendore po të rilindjes që kanë bërë një katrahurë nëpër zonat e përmbytura. Janë hedhur akuza shumë të rënda për korrupsion dhe abuzim me fondet por për Ramën kjo nuk ka asnjë rëndësi. Tashmë është bërë normale që qeveritarët edhe lokale edhe qendrore të Rilindjes të vjedhin dhe të shpërdorojnë në mënyrë klasike paratë e shqiptarëve. Ti fusin në xhepat e tyre, e jo ti çojnë aty ku kanë nevojë qytetarë shqiptarë. Dhe Rama direkt del në podkastin e tij që të justifikojë gjithçka.

Sipas kreut të qeverisë së një shteti të përmbytur cep me cep, e me rrugë kombëtare që shembën e bllokohen njëra pas tjetrës, e me rruge lokale që bllokohen sapo bie nje cm dëborë, ai dhe qeveria e tij nuk kanë asnjë lloj faji për këtë situate. Si gjithmonë për Ramën ose është faji i opozitës ose është faji i shqiptarëve që paskan “hedhur mbeturinat” nëpër lumenj e kanale e qenkan bllokuar. Në fakt shqiptarët nëse i kanë hedhur nuk do të duhej të fajësoheshin sepse detyra e qeverisë është ti mbledhë mbeturinat dhe ti çojë tek inceneratori. Po inceneratorët nuk egzstojnë e qeveria i lë plehrat rrugëve. I vodhën paratë që do ndërtonin trajtuesit e mbeturinave. Tani akuzohet populli.

Përmbytjet sipas propagandës së Ramës, “nuk ka prekur vetëm vendin tonë, të paktën jo për arsyet që ziejnë tenxheret mediatike por një hartë të gjerë, deri në Stamboll ku kishte pamje apokaliptike”.

“Një masë ajri e ftohtë nga veriu është përplasur me një valë të ngrohtë nga Mesdheu që ka sjellë këtë situatë. Ndryshimi klimatik nuk do të thotë vetëm verëra të nxehta, por edhe stinë të pa qëndrueshme dhe mot këmbëngulës. Më shumë zjarre dhe përmbytje, është tashmë një kuadrat i ri i klimës ku jetojmë, por jam krenar që në çdo situatë emergjence jemi më të përgatitur falë investimeve të bëra”, tha ai.

Krenar? Nuk kuptohet se çfarë kupton ai me “krenar” por një gjë e sigurtë është se ata që përballen me propagandën e shfrenuar dhe me presionin mediatik nga ato dritare lajmesh që kontrollohen nga Rama e njerëzit e tij e që janë shumë, edhe mund ta besojnë “krenarinë” e tij.

Ndërkohë realiteti është krejt tjetër dhe që nuk do të bënte asnjë qeveritar apo zyrtar krenar. Gjysma e vendit noton në ujë. Rama noton në podcast duke shpresuar që SPAK të mos shfletojë faqe te tjera të dokumenteve që shpjegojnë vjedhjet e mëdha qeveritare sidomos pas deklarimeve të Ahmetajt në intervistën e fundit tek Cim Peka live, në Syri Tv.