'Situata me reshjet në Gjirokastër dhe Memaliaj': Rrëshqitje dherash, rrugë të bllokuara dhe banesa në rrezik

Në qarkun e Gjirokastrës, situata aktualisht paraqitet e qetë, por disa zona mbeten problematike pas motit të keq të ditëve të fundit.

Në Bashkinë Gjirokastër, problematikat kryesore janë në Lunxheri, ku është shënuar një shkarje dheu rreth 1,5 km. Në Bashkinë Këlcyrë, fshati Malshkovë, tre banesa janë shpallur të pabanueshme dhe banorët janë evakuuar tek familjarët.

Rruga e Çarcovës ka pasur dëmtime dhe aktualisht kalon me një sens, ndërsa segmenti Gjirokastër-Tepelenë është i kalueshëm vetëm me një krah.

Në Bashkinë Memaliaj situata ka nisur të normalizohet, por disa probleme mbeten:

Në fshatin Memaliaj janë tre rrugë të bllokuara nga rrëshqitjet e dheut, ndërsa tre banesa konsiderohen të rrezikuara.

Në fshatin Vasjar një rrugë është e bllokuar dhe një banesë rrezikon shembjen.

Në fshatin Kashisht ka mungesë të furnizimit me energji elektrike.

Në Njësinë Administrative Luftinjë, fshati Gllavë e Vogël, një rrugë është e bllokuar dhe një banesë rrezikon shembjen. Banorët e të gjitha fshatrave në këtë njësinë janë pa energji elektrike.

Në Njësinë Administrative Buz, rrugët janë të kalueshme, por ka mungesë të energjisë elektrike në disa fshatra.

Lumi Vjosë shënon rënie të nivelit, aktualisht në kuotën 4.5 metra, por monitorimi i vazhdueshëm mbetet i nevojshëm për situatat emergjente.

Autoritetet lokale dhe ekipet e emergjencës po punojnë për pastrimin e rrugëve, përforcimin e argjinaturave dhe rikthimin e energjisë elektrike në zonat e prekura.