Qarku Shkodër/ Rritet sipërfaqja e përmbytjes, 525 ha tokë bujqësore nën ujë! Problematike zona e Obotit dhe Velipoja
Është rritur në krahasim me një ditë më parë sipërfaqja nën ujë në qarkun e Shkodrës. Sot rreth 525 hektarë tokë bujqësore vijojnë të jenë të përmbytura ndërsa nuk raportohet për banesa nën ujë.
Më problematike është zona e Obotit në Njësinë Ana e malit. Problematike është dhe zona e Velipojës.
Në Obot rruga vijon të jetë e bllokuar për mjetet e ulëtave dhe kalohet vetëm nga makinat e ushtrisë.
Banorët e Obotit thonë se përmbytjet shkaktohen nga shkarkimet e Hidrocentralit. Ndërkohë sot janë ndërprerë reshjet e shiut.
Sipas raportit ditor të Bashkisë Shkodër për datën 11 Janar 2026, situata hidrologjike në territorin e bashkisë paraqitet e qëndrueshme, me nivele uji nën kuotat kritike. Megjithatë, rreth 525 hektarë tokë bujqësore vijojnë të jenë të përmbytura, të shpërndara sipas njësive administrative:
Njësia Administrative Dajç: rreth 110 ha
Njësia Administrative Velipojë: rreth 265 ha
Njësia Administrative Ana e Malit: rreth 150 ha
Në fshatin Obot, uji është i pranishëm vetëm në afërsi të oborreve, pa depërtim në banesa. Qarkullimi në zonat e prekura mbetet i mundur me mjete të posaçme.
Nivelet e lumenjve në Shkodër mbeten nën kuotat kritike
Niveli i Bunës në Dajç është 6.58 m.
Te Ura e Vjetër e Bunës: 8.50 m (1.00 m nën kuotën kritike 9.50 m)
Te Ura e Bahçallëkut – Drin: 8.20 m (1.80 m nën kuotën kritike 10.00 m)
Hidrovoret, argjinaturat, kanalet kulluese dhe shkarkuesat nuk raportojnë probleme të menjëhershme.