Rritet niveli i lumit Ishëm, rrugët dhe tokat bujqësore ende nën ujë
Gjatë natës, niveli i lumit Ishem është rritur ndjeshëm, duke shkaktuar përmbytje në disa fshatra të zonës përreth. Ndërkohë që lumi ishte tërhequr më parë në rrjedhën e tij normale, reshjet dhe hapja e disa portave të bovillës kanë bërë që uji të ngrihet sërish.
Sipas raporteve lokale, niveli i ujit ka prekur fshatrat Bilaj, Murqinë dhe Malkuç, duke arritur kuotat e disa ditëve më parë.
Qindra hektarë toka bujqësore vazhdojnë të jenë nën ujë.
Problemet më serioze janë në dy lagjet fundore të fshatit Murqinë, të cilat janë izoluar totalisht, pasi rruga që lidh këto lagje me pjesën tjetër të vendit është mbuluar nga uji me një nivel mbi 50 cm.
Nga ana tjetër, në fshatin Miliskajë ka një përmirësim të lehtë, ku uji ka filluar të tërhiqet. Megjithatë, rruga dhe arat e këtij fshati vazhdojnë të jenë nën ujë, ndërsa banesat kanë filluar të lirohen gradualisht nga përmbytja.