Ciklone dhe zjarre masive godasin Australinë: Mijëra qytetarë pa energji, qindra hektarë toke të djegura
Mijëra banorë në Australinë verilindore kanë mbetur pa energji elektrike pasi një ciklon tropikal i shoqëruar me shira të rrëmbyeshëm dhe erëra të forta ka goditur rajonin, ndërkohë që vendi po përballet paralelisht me zjarre masive në juglindje.
Cikloni Koji, i kategorisë 1, goditi zonën mes qyteteve Ayr dhe Bowen, rreth 500 kilometra në veri të Brisbane, kryeqytetit të shtetit Queensland, përpara se të dobësohej, bëri të ditur Byroja Australiane e Meteorologjisë.
Stuhia solli erëra që arritën deri në 95 km/orë dhe reshje intensive shiu, duke prekur veçanërisht qytetet bregdetare. Kryeministri i Queenslandit, David Crisafulli, deklaroi se rreth 15 mijë banesa kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa janë raportuar dëme në prona, anije dhe mbyllje rrugësh.
Sipas autoriteteve, në disa zona kanë rënë deri në 200 milimetra shi gjatë natës, ndërsa reshjet pritet të vazhdojnë edhe për 24–48 orët e ardhshme, duke rritur rrezikun e përmbytjeve.
“Ekziston rrezik real për përmbytje, por banorët e Queenslandit janë të përgatitur për ta përballuar situatën”, u shpreh Crisafulli.
Shërbimi meteorologjik paralajmëroi se kushtet e motit ekstrem do të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme, por pritet të lehtësohen nga dita e nesërme.
Ndërkohë, Australia juglindore po përballet prej ditësh me zjarre të mëdha, të cilat kanë shkatërruar shtëpi, kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe kanë djegur miliona hektarë tokë pyjore.
Në shtetin e Viktorias, zjarret kanë përfshirë më shumë se 3 milionë hektarë që nga mesi i javës së kaluar dhe kanë shkatërruar 130 prona, përfshirë banesa. Kryeministrja e Viktorias, Jacinda Allan, njoftoi se më shumë se 30 vatra zjarri ishin aktive këtë mëngjes.
Edhe në shtetin fqinj Uellsi i Ri Jugor, janë raportuar zjarre pranë kufirit me Viktorian.
Autoritetet i kanë cilësuar këto zjarre si më të rëndat që nga “vera e zezë” e viteve 2019–2020, kur u dogj një sipërfaqe sa territori i Turqisë dhe humbën jetën 33 persona.
Shefi i Shërbimit të Zjarrfikësve të Viktorias, Chris Hardman, paralajmëroi se mund të duhen javë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa mijëra zjarrfikës, të mbështetur nga më shumë se 70 avionë, po luftojnë për shuarjen e flakëve.