Reshje të dendura bore gjatë mesnatës në Dibër dhe Bulqizë, mbi 30 cm në zonat malore

Reshje bore me intensitet të lartë janë regjistruar gjatë orëve të mesnatës në të gjithë territorin e bashkive Dibër dhe Bulqizë, duke sjellë shtim të ndjeshëm të trashësisë së borës, veçanërisht në zonat malore.

Sipas informacioneve nga terreni, në tunelin e Murrizit trashësia e borës ka arritur rreth 10 centimetra brenda pak minutash, ndërsa nuk raportohen probleme në qarkullimin e automjeteve dhe rruga mbetet e hapur për trafikun.

Në zonat e thella dhe në lartësi mbi 800 metra mbi nivelin e detit, reshjet kanë nisur që prej pasdites.

Situata paraqitet më e rënduar në Lurë, Selishtë dhe Kala e Dodës, ku trashësia e borës ka kaluar 30 centimetra.

Reshjet e borës pritet të vijojnë edhe gjatë orëve në vijim, ndërsa nuk ka raportime për izolime zonash apo probleme serioze në furnizimin me energji elektrike.