'Vdekje Khameneit!' Përhapen protestat në Iran, regjimi i kërcënon me vdekje! 65 të vrarë, 2300 të arrestuar
Zjarre në mes të rrugëve, këngë dhe slogane si “vdekje Khamenei-t” dhe “jetë e gjatë Shahut”.
Pavarësisht ndërprerjes së internetit dhe bilancit me dhjetëra të vrarë e mijëra të arrestuar, populli iranian nuk ndalet. Ai del në rrugë për të vijuar protestën që tashmë ka arritur ditën e katërmbëdhjetë, një mobilizim pa precedent në tre vitet e fundit për nga numri dhe shtrirja e saj.
Disa analistë kanë filluar të flasin për “revolucion” – një fjalë me peshë të madhe politike dhe simbolike në Republikën Islamike, e cila lindi vetë nga një revolucion në vitet ’70 – duke nënkuptuar se “këtë herë është ndryshe” krahasuar me protestat e mëparshme.
Këtë herë është aq shumë ndryshe sa regjimi ka vendosur të kërcënojë me vdekje protestuesit si ‘armiqtë të Zotit’ ndërsa Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei ka vënë Forcën e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit në gjendje gatishmërie edhe më të lartë se ajo e luftës 12-ditore me Izraelin, në qershor 2025.
Masat që, nga njëra anë, rrisin frikën e një shtypjeje akoma më brutale të pakënaqësisë, nga ana tjetër ndezin tensionet me Perëndimin dhe veçanërisht me Uashingtonin, nga ku presidenti Donald Trump ka rikujtuar thirrjen për “mos filloni të qëlloni” mbi protestuesit.
“Përndryshe, do të fillojmë të qëllojmë edhe ne”. “Shtetet e Bashkuara mbështesin popullin guximtar iranian”, u shpreh sekretari i Shtetit amerikan Marco Rubio, ndërsa edhe BE ka kërkuar ndalimin e shtypjes dhe kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka propozuar sanksione ndaj Forcës së Gardës Revolucionare.
Ndërkohë, nga Republika Islamike arrijnë me vështirësi lajme për protestat në të gjithë vendin, nga Tabrizi në Teheran deri në Shiraz. Ndërprerja e komunikimeve me internet tashmë ka zgjatur 48 orë. Qytetarëve u mbërrijnë vetëm mesazhe nga policia që i paralajmërojnë të mos bashkohen me protestat apo të mbështesin demonstruesit.
Kjo është një censurë dhe propagandë që shkojnë paralelisht me dhunën që shoqëron protestat dhe shtypjen nga autoritetet: sipas organizatës Human Rights Activists Neës Agency, nata e fundit e protestave ka shkaktuar të paktën 65 viktima – përfshirë 49 civilë – ndërsa arrestimet kanë kaluar 2.300. Një mjek dhe një punonjës social nga dy spitale në Iran kanë kontaktuar me BBC-në duke raportuar se strukturat e tyre janë tashmë “të mbingarkuara” nga të plagosurit.
Dëshmitë flasin për kaos në kryeqytet, me aktet e dhunës nga protestuesit dhe policia. Krizën e rrisin edhe më tej lajmet, për ardhjen e milicëve irakianë në Iran për t’u bashkuar me forcat e rendit.
Tensioni është në kulm dhe duket se nuk do të ulet: priten mobilizime të tjera, të nxitura edhe nga thirrjet e Reza Pahlavi-t, birit të fundit Shah të Persisë, për të shfrytëzuar momentin për të rrëzuar regjimin e ajatollahëve.
“Jam i sigurt se, duke e bërë më të përqendruar praninë tonë në rrugë dhe duke ndërprerë kanalet financiare, do të rrëzojmë Republikën Islamike”, ka deklaruar ai, para se të “ftojë punëtorët dhe të punësuarit në sektorët kyç të ekonomisë të nisë një grevë kombëtare”.
Të “dalin në rrugë” sot dhe nesër “me flamuj, imazhe dhe simbole kombëtare dhe të pushtojnë hapësirat publike”.
Përgjigjja e autoriteteve iraniane vazhdon të akuzojë protestuesit për “një luftë të orkestruar nga jashtë”, duke akuzuar SHBA dhe Izraelin.
Ndërkohë, agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim ka njoftuar për një kundër-protestë të madhe në Teheran të hënën pasdite për “të dënuar veprimet e rebelëve”, ndërsa prokurori i përgjithshëm i vendit, Mohammad Movahedi Azad, ka ripërsëritur kërcënimin se të gjithë rebelët rrezikojnë litarin si “armikë të Zotit”./ANSA/