U arrestua për drogë, lirohet aktori i njohur turk! Operacioni në lokalet e natës, në pranga VIP-at e Stambollit

Aktori i njohur turk Can Yaman është arrestuar dhe më pas është liruar në Turqi, në kuadër të një hetimi për trafikimin dhe përdorimin e lëndëve narkotike mes personazheve të njohur, gazetarëve dhe VIP-ave në Stamboll, raporton media turke.

Yaman, një aktor shumë i popullarizuar edhe në Itali për rolet kryesore në disa seriale të suksesshme televizive, është arrestuar së bashku me edhe gjashtë persona të tjerë, mes tyre edhe aktorja Selen Gorguzel.

Shtatë të ndaluarit iu nënshtruan një sërë testesh pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, për të verifikuar nëse, kur dhe çfarë lloj droge kanë konsumuar. Paralelisht, policia zhvilloi gjatë natës kontrolle në nëntë klube nate në Stamboll, ku u arrestuan disa shpërndarës droge si edhe menaxherë lokalesh ku dyshohet se shiteshin lëndë narkotike.

Operacioni u drejtua nga Zyra Hetimore për Kontrabandën, Trafikun e Narkotikëve dhe Krimet Ekonomike pranë Prokurorisë së Përgjithshme të Stambollit.

Sipas mediave turke, për Can Yaman nuk kishte një urdhër-arresti të lëshuar më herët nga prokuroria. Aktori u arrestua pasi ndodhej në një nga lokalet e kontrolluara nga  policia dhe dyshohet se ka pasur lëndë narkotike me vete.

Në kuadër të këtij hetimi pak muaj më parë u përmend edhe Sadettin Saran, president i klubit të futbollit Fenerbahçe.

Gjatë këtij aksioni u arrestua dhe aktorja e serialeve Selen Gorguzel, ish-prezantatorja televizive Nilufer Batur Tokgoz, si edhe personazhe të njohur të jetës mondane si Ayse Saglam dhe c, apo aktori Dogukan Gungor, influenceri Burak Altindag dhe modelja e influencere Ceyda Ersoy.