SYRI TV/ Opozita thërret protestë kombëtar në 24 janar, Berisha: Kërkesa e vetme, dorëheqja e Edi Ramës

Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur 24 janarin si datën e protestës kombëtare të Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare me kërkesën kryesore, dorëheqjen e Kryeministrit Rama. Lideri i opozitës Sali Berisha theksoi se protestat e qendrueshme  janë rruga e vetme për largimin e qeverisë së Edi Ramës. Berisha ftoi sërish të gjithë faktorët opozitarë që të bashkohen në në një front të vetëm për largimin e regjimit. Lidhur me situatën e përmbytjeve massive, Berisha tha se ato vijnë nga korrupsioni qeveritar dhe akuzoi Edi Ramën për mos-shpalljen e gjëndjes së emergjencës.

Të shtunën e 24 janarit do të zhvillohet protesta e radhës kombëtare e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar para godinës së kryeministrisë. Vendimi është marrë në mbledhjen e kryesisë së selisë blu. Pas mbledhjes kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se kërkesa e vetme në këtë protestë është dorëheqja e kryeminstrit Edi Rama.  

Në nisje të mbledhjes së kryesisë Sali Berisha iu bëri thirrje të gjithë forcave politike dhe individëve që të bashkohen në një front të përbashkët opozitar. Ky front, sipas kreut të Partisë Demokratike duhet të shtrihet dhe në rrethe.

Berisha komentoi dhe intervistën e ish-zvkryeministrit Arben Ahmetaj në Cim Peka Live. Ai e cilësoi atë si një autopsi të vjedhjeve të Edi Ramës.

Për kreun e Partisë Demokratike, presioni i Edi Ramës ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe vendimi i saj për çështjen Balluku është një grusht shteti. Këto veprime për të penguar drejtësinë u shpreh Berisha tregojnë se pas aferave është Edi Rama.  

Teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama për mosshpalljen e gjendjes së emergjencës për të mos dëmshpërblyer qytetarët e dëmtuar nga përmbytjet, Berisha tha se ato ndodhën për shkak të investimeve të cilat janë vjedhur nga kjo qeveri dhe për shkak se nuk u mor asnjë masë paraprake.