VIDEO/ 'Ra në krye të detyrës', familjarët e punonjësit të bashkisë Durrës përgënjeshtrojnë kryetaren Sako

Familjarët e Astrit Hysenajt, punonjësit të komunales në Durrës, i cili humbi jetën pasi dyshohet se e mori rrjedha e ujit teksa ishte në punë gjatë ditëve kritike të përmbytjeve, kanë folur për mediat dhe kanë bërë thirrje që ai të njihet si person i rënë në detyrë, duke përgënjeshtruar kryebashkiaken e Durrësit, Emirjana Sako.

‘Ne kërkojmë që ai të njihet që ky ka rënë në krye të detyre. Ato që i takojnë sipas ligjit’, thonë të afërmit e tij.

‘Me anë të disa kamerave, gjetëm qe deri në orën 8:25 e mëngjesit ai ka qenë duke punuar. Siç e tregojnë edhe pamjet, ka qenë duke mbledhur letra në ujë. Pas kësaj ore nuk kemi informacion, mendojmë se e ka marrë rryma e ujit. Në mëngjes të ditës tjetër shkuam prapë në polici, erdhën palombarët në vendin që dyshonim ne. Shkuam në fund të derdhjes së këtij kanali, tek ura pranë reparti ushtarak te plepat, policia tha ke kishin parë një uniformë të punës së komunales, shkuam atje, e gjetëm më pas atje’, tha kushëriri i tij, Osman Hysenaj.

Albana Aliaj: Cila është e vërteta e familjes Hysenaj në lidhje me kushëririn tuaj që u gjet i mbytur dy ditë më parë?

Osman Hysenaj: Ai në mëngjes, si zakonisht, kur nis për në punë. Dhe familja nuk ishte dakord që ai të nisej duke i thënë, mos shko se është kohë shumë e keqe. Ai ishte shumë shi. Ai prapë se prapë veshi uniformën e punës dhe u nis për në punë. Dhe mbasi kaloi ai afati që vinte përditë nga puna, familja u shqetësua. Por priten deri nga mbasdite, tre-katër, se thanë që mos e ka dërguar ndërmarrja në ndonjë vend tjetër, ku ka nevojë dhe për të… Kur e panë që nuk erdhi, atëherë familja u shqetësua dhe filluan kërkimet. Por po vinte dhe nata. Kërkuam sa kërkuam, shkuan në spital, shkuan në spitale, gjithandej, nëpër kamera, nëpër lokale ku dyshonin. Dhe vetëm ku punonte.

Por nuk u gjend. Dhe në darkë familja u shqetësua akoma më shumë dhe shkuan njoftuan policinë. Duke shkuar disa herë tek urgjenca duke pyetur mos ka ardhur ndonjë i aksidentuar ose i mbytur. Nuk kishte. Bën denoncimin te policia, na thanë që duhet, ne e marrim këtë por duhet të fillojmë me procedurat pas, mbasi kalojnë 24 orë që të shpallet person në kërkim. Ne prapë vazhduam kërkimet tona. Me anë të disa kamerave gjetëm që deri në ora 8:25, ai ka qenë duke punuar. Dhe edhe siç e tregojnë edhe ato pamjet filmike që disponon familja, ai ishte duke mbledhur letrat sipër në ujë, në një disa kushte që të rrallë janë ata që mund ta bëjnë. Dhe mbas kësaj ore ne nuk kemi asnjë lloj informacioni.

Albana Aliaj: Çfarë mendoni se i ngjau?

Osman Hysenaj: Ne mendojmë se mund ta ketë marrë rryma e ujit. Dhe të nesërmen në mëngjes pastaj shkuam prapë te policia, bëri prapë denoncimin. Ata erdhën, polumbarët, biles erdhën këtu te vendi ku dyshonim ne, erdhën ata polumbarët, se kanë qenë edhe në vend tjetër në Lezhë. Pastaj bashkë me policinë shkuam tek në fund të derdhjes së këtij kanali. Pamë kushtet. Dhe sipas informacioneve që kishte policia, në ato momente, tek ura e, pranë repartit ushtarak te Plepat, thanë që kanë parë një formë, një uniformë të punës, të punonjësve të Komunales. Shkuam aty, hynë polumbarët brenda dhe e gjetën, ishte, e gjetën dhe ai ishte aty.

Albana Aliaj: Çfarë kërkoni ju si familje?

Osman Hysenaj: Ne, familjarët kërkojnë që ky ka rënë në krye të detyrës. Sepse, sipas pamjeve tona, deri në 8 e 25 ky ka qenë duke punuar. E vërtetojmë që është punë. Ato që i takojnë sipas ligjit si një punonjës që... Se ne mendojmë atëherë është, atëherë ka qenë momenti që është zhdukur. Që nuk është gjetur më. Në qoftë se ndonjëri ka pamje të kundërta, le të na i vërë në dispozicion, që mbas kësaj ore ka qenë duke ikur në shtëpi ose ka qenë këtu. Ne, ato që kemi ne, 8 e 25 ai ka qenë duke punuar.

Albana Aliaj: Çfarë ka lënë mbrapa?

Osman Hysenaj: Ka lënë nënën e tij 85 vjeçare që është në pension, ka lënë të nusen që është e papunë, ka lënë dhe një djalë që është i papunë për momentin. Tashi ata që janë mbrapa kanë ngelur vetëm me pensionin e nënës.