Chivu para Inter–Napoli: Një ndeshje që mund të përcaktojë sezonin, kam respekt të madh për Conte-n
Cristian Chivu e konsideron sfidën e së dielës mbrëma në “San Siro” ndaj Napolit si një moment kyç të sezonit për Interin. Trajneri zikaltër theksoi ambicien maksimale të skuadrës për ta fituar duelin direkt dhe për të forcuar pozitat në krye të renditjes.
“Ne duam të shkojmë në +7, ndërsa ata duan të mbeten në -1. Dëshira, ambicia dhe përqendrimi janë shumë të mëdha. Kjo është një ndeshje që mund ta orientojë rrugëtimin e sezonit”, – u shpreh Chivu. Ai nënvizoi se skuadra ka gjetur vazhdimësi në rezultate dhe paraqitje, duke u rritur ndjeshëm në muajt e fundit.
Sa i përket kritikave për ndeshjet direkte, tekniku rumun ishte i qartë: “Është e lehtë të flitet vetëm për statistika. Realiteti është që jemi të parët, jemi përpara atyre që na kanë mundur dhe kemi shënuar më shumë gola. Çdo ndeshje vlen njësoj, por sigurisht këto janë shumë të rëndësishme”.
Duke folur për kundërshtarin, Chivu theksoi forcën e Napolit dhe ndryshimet taktike: “Kanë intensitet dhe lojtarë shumë të fortë si Lobotka. Do të jetë një ndeshje e vështirë, që do të vendoset nga episodet”. Për Antonio Conten, ai shtoi: “Kam respekt të madh për të si trajner. Është fitues dhe ne trajnerët më të rinj kemi shumë për të mësuar prej tij”.
Në fund, Chivu preku edhe temën e arbitrimit: “Kemi mësuar të stërvitemi edhe ndaj padrejtësive. Nuk duhet të kërkojmë justifikime, duhet të jemi më të fortë se gjithçka”.