‘Nuk rrezikojmë shëndetin e lojtarëve’, Alonso nuk lejon aktivizimin e Mbappé-se në finale me injeksion

Xabi Alonso ka qenë i qartë në prag të finales së Superkupës së Spanjës kundër Barcelonës: Kylian Mbappé nuk do të aktivizohet me çdo kusht dhe pa garanci mjekësore. Trajneri i Real Madridit përjashtoi kategorikisht përdorimin e injeksioneve për ta hedhur francezin në fushë në “El Clasico”.

“Të luajë Mbappé me injeksion? Ky është një vendim që merret vetëm pas një vlerësimi të përbashkët mes lojtarit, stafit teknik dhe mjekëve. Rreziqet duhen peshuar gjithmonë me kujdes. Ne nuk jemi kamikazë”, – deklaroi Alonso në konferencën për shtyp.

Tekniku spanjoll dha edhe detaje mbi gjendjen aktuale të ‘yllit’ francez: “Kylian ndihet shumë më mirë. U bashkua me grupin dje, ndërsa sot pasdite do të zhvillojë stërvitje të plotë me ekipin. Pas kësaj, do të kemi të gjitha të dhënat për të vendosur nëse mund të aktivizohet, qoftë nga minuta e parë apo gjatë ndeshjes”.

Mbappé mungoi në derbin ndaj Atletico Madridit për shkak të një problemi në gjurin e majtë, një situatë që ka shtyrë klubin madrilen të tregojë kujdes maksimal. Reali nuk dëshiron zgjidhje të shpejta që mund të komprometojnë shëndetin e lojtarit në planin afatgjatë, sidomos në një sezon të ngarkuar.

Nga ana tjetër, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, e vlerësoi maksimalisht sulmuesin francez: “Në këtë moment, Mbappé është sulmuesi më i mirë. Shënon vazhdimisht, është lojtar i nivelit botëror dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm në hapësirat pas mbrojtjes”.