'Intervista e Ahmetajt', Berisha: Aktakuza më e rëndë për sistemin e kapur të drejtësisë! Durana e Troplinëve ka kontrolluar çdo të dhënë të shtetit
Kreu i PD-së, Sali Berisha, e cilësoi deklaratën e zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj si aktakuzën më të rëndë për sistemin e kapur të drejtësisë në Shqipëri.
Berisha theksoi se intervista e Ahmetajt përbën një autopsi të thellë të korrupsionit dhe vjedhjeve të Edi Ramës, duke zbuluar dokumente dhe fakte që provojnë se shteti shqiptar është nën kontrollin e grupeve të lidhura me pushtetin, si Troplinët, të cilët, sipas tij, kanë manipuluar dhe kontrolluar çdo të dhënë të rëndësishme të shtetit.
Kreu i PD-së denoncoi edhe dështimin e drejtpërdrejtë të sistemit të drejtësisë, duke theksuar se dosjet e njohura të korrupsionit, si ato të Porto Romanos dhe Ekoparkut, janë denoncuar vazhdimisht me fakte dhe dokumente, por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje. Ai kërkoi që vetëm populli të japë ndëshkimin e merituar për Edi Ramën dhe qeverinë e tij, duke e cilësuar largimin e tij si një domosdoshmëri për shëndetin e shtetit shqiptar.
Fjala e tij:
Ndërkohë, duhet të shtoj se intervista e zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj ishte autopsia më e thellë e vjedhjeve dhe korrupsionit të Edi Ramës me dosje, me dokumente dhe fakte.
A mund të imagjinoni ju, Durana zona teknologjike e Durrësit, de facto territor komplet i Troplinëve, të cilët me Agasin kanë kontrolluar çdo të dhënë të këtij shteti nga dosjet më sekrete të prokurorive, gjykata, shërbimit të fshehtë tek çdo lloj e dhënë tjetër.
Durana e Edi Ramës me Troplinët.
Ato dosje janë një aktakuzë më e rënda edhe për sistemin e kapur të drejtësisë.
Sa herë është denoncuar dosja e Porto Romanos? E Ekoparkut në Durrës?
Me dhjetëra, në mos qindra herë. Me dokumente, me çdo gjë.
Asgjë nuk ndodh.
Pse? Se është direkt Edi Rama dhe thjeshtra të implikuar në të. E njohur kjo.
15 mijë euro kamera e policit, u garantoj që kush në botë në asnjë vend nuk e vendosin policët 15 mijë euro kamera.
Po ka kjo? Është njëlloj si historia e kapeles së policit. Polici suedez, kapelja e tij 15 euro. Kapelja e policit shqiptar 320 euro me Plarentin që kalon nga një studio në tjetër, një hajdut i shpifur që ka ndarë paratë me Ramën.
Të gjitha këto kanë vetëm një konkluzion.
Është populli dhe vetëm populli ai që duhet t’i japë Edi Ramës ndëshkimin e merituar, largimin e tij një minutë e më parë nga pushteti.