'Përmbytja e shtetit', Muçollari: Përmbytjet në Shqipëri janë pasqyrë e dështimit dhe korrupsionit të qeverisë
Në një reagim në rrjetet e tij sociale, Anëtari i Kryesisë së PD-së, Grigels Muçollari, u shpreh se përmbytjet e fundit në Shqipëri nuk janë thjesht një ngjarje natyrore, por një pasqyrë brutale e dështimit të një shteti që ka humbur çdo aftësi për të mbrojtur qytetarët. Sipas Muçollarit, përmbytja ka kapur Shqipërinë në të gjitha aspektet e saj, duke nxjerrë në pah dështimin teknik dhe politik të qeverisë.
Muçollari theksoi se përpjekjet për të maskuar këtë dështim me investime fasadë dhe shifra të fryra janë të pavlefshme përballë realitetit të një shteti që ka humbur kontrollin mbi infrastrukturën e tij. Ai e krahasoi këtë situatë me një përmbytje që nuk po ndodh vetëm nga ujërat natyrore, por nga një pushtet i korruptuar dhe tërësisht i paaftë për të menaxhuar emergjencat.
Në këtë kuadër, ai akuzoi qeverinë për manipulim të të dhënave dhe për dështimin në ruajtjen e infrastrukturës kritike si hidrovorët, të cilët ishin jashtë funksioni në momentet e nevojshme. Për Muçollarin, kjo përmbytje është një simptomë e korrupsionit të strukturave shtetërore dhe pasojë e politikave të një qeverie që ka shpërdoruar fondet publike dhe ka krijuar një shtet që nuk i shërben qytetarëve, por interesave të ngushta të pushtetit.
Postimi:
Përmbytjet e fundit në Shqipëri nuk janë thjesht ngjarje natyrore. Ato janë pasqyrat më brutale të një shteti që ka humbur funksionin e tij themelor: parandalimin, mbrojtjen dhe përgjegjësinë. Uji hyri në shtëpi, biznese dhe toka bujqësore, por në të vërtetë ajo që është përmbytur prej kohësh është vetë shteti.
Në planin konkret, dështimi është teknik dhe politik njëkohësisht. Hidrovorët, që duhej të ishin linja e parë e mbrojtjes, rezultuan jashtë funksioni pikërisht aty ku investimet janë shpallur me bujë dhe janë faturuar me shifra të larta. Rasti i hidrovorit të Durrësit nuk është një incident i izoluar, por një simbol i një modeli: para publike të shpenzuara, projekte të inauguruara, por infrastrukturë që dështon në momentin e provës. Ky është definicioni klasik i korrupsionit strukturor jo vetëm vjedhje fondesh, por shkatërrim i qëllimshëm i kapacitetit shtetëror.
Përmbytja merr një kuptim edhe më të gjerë. Akuzat e njëpasnjëshme ndaj zëvendëskryeministres, ministrave dhe drejtuesve të institucioneve publike për afera korruptive, investime klienteliste dhe abuzime me fondet publike, janë si rrjedhje të pandalshme uji që çajnë digat e besimit publik. Kur pushteti ekzekutiv grumbullon akuza, por njëkohësisht mbrohet politikisht, shteti nuk po mbytet nga jashtë, por nga brenda.
Refuzimi i kryeministrit për të lejuar parlamentin të shqyrtojë heqjen e imunitetit për një figurë kyçe të qeverisë është një tjetër moment kritik i kësaj përmbytjeje. Parlamenti, që duhet të jetë institucioni i kontrollit dhe balancës, reduktohet në dekor. Kur ligji ndalet përpara pushtetit, por nuk ndalet përpara qytetarit, atëherë nuk kemi më shtet ligjor, por pushtet personal.
Në të njëjtën kohë, ekonomia po tkurret në sektorë jetikë: bujqësia goditet nga përmbytjet dhe mungesa e mbështetjes reale, bizneset e vogla mbyllen nën presion fiskal dhe informaliteti rritet, ndërsa emigracioni vazhdon të zbrazë vendin nga forca punëtore dhe profesionistët. Kjo është një tjetër formë përmbytjeje: jo me ujë, por me pasiguri dhe varfëri.
Situata bëhet edhe më alarmante kur shteti humbet kontrollin mbi infrastrukturën e vet digjitale. Akuzat ndaj AKSHI-t, ku serverët dhe të dhënat shtetërore janë në duart e privatëve, përbëjnë një rrezik strategjik. Kur informacioni publik, regjistrat dhe sistemet kritike nuk janë nën kontroll të drejtpërdrejtë shtetëror, kufiri mes paaftësisë dhe kapjes nga interesa private apo kriminale bëhet i paqartë. Ky është një nivel tjetër i përmbytjes: cenimi i sovranitetit institucional.
Të gjitha këto fenomene lidhen mes tyre. Përmbytjet fizike janë pasojë e investimeve korruptive; korrupsioni është pasojë e mungesës së kontrollit; mungesa e kontrollit vjen nga kapja e institucioneve; dhe kapja e institucioneve prodhon një shtet që nuk i shërben më qytetarëve, por vetes.
“Përmbytja e shtetit” nuk është një metaforë e tepruar. Ajo përshkruan një realitet ku korrupsioni, arroganca e pushtetit dhe dobësimi ekonomik bashkohen në një krizë të vetme. Dhe si çdo përmbytje, nëse nuk ndërhyhet në kohë për të ndërtuar diga reale ligjore, institucionale dhe morale dëmet nuk janë të përkohshme. Ato bëhen strukturore.
Kam frikë se të tilla janë tashmë.
Si pasojë, përmbysja është e domosdoshme për t’i shpëtuar përmbytjes.