Përroi del nga shtrati në zonën e Gurit të Kuq, aksi nacional Pogradec–Qafë Thanë mbulohet nga inertet dhe uji

Situata e përmbytjeve në aksin nacional Pogradec–Qafë Thanë vijon të mbetet problematike, pasi uji dhe inertet kanë dalë sërish mbi rrugë, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Kjo ka ndodhur në zonën pranë Gurit të Kuq, një problematikë që është evidentuar edhe dy ditë më parë.

Përroi që kalon pranë fshatit Gur i Kuq ka dalë nga shtrati si pasojë e reshjeve të dendura, duke shkaktuar vërshimin e ujërave dhe inerteve mbi aksin rrugor. Aktualisht, qarkullimi në këtë aks po kryhet vetëm në një korsi, duke bërë që trafiku të jetë i rënduar.

Për shkak të kushteve të vështira, autoritetet kërkojnë nga drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet për ndonjë mbyllje të mundshme të rrugës, në rast se përkeqësohen kushtet meteorologjike.