Përmbytjet në Fushë-Kuqe dhe zonat e Adriatikut/ Gjin Gjoni: Banorët pa asnjë mbështetje nga bashkia dhe shteti

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, gjatë një interviste për SYRI TV nga zonat e përmbytura të Fushë-Kuqes dhe bregdetit Adriatik, denoncoi mungesën e ndërhyrjes së bashkisë së Kurbinit dhe institucioneve të emergjencave civile.

Ai theksoi se ujërat vazhdojnë të mbulojnë tokat dhe banesat, duke shkaktuar dëme në pronat e banorëve, bagëtitë dhe prodhimet bujqësore, ndërsa kërkoi shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe kompensimin e plotë të të prekurve.

Sipas tij, përmbytjet janë rezultat i mosmirëmbajtjes së kanaleve kulluese dhe korrupsionit, dhe jo vetëm i reshjeve të shiut.

Gjin Gjoni: Ne ndodhemi në zonën e Fushë-Kuqes dhe të Adriatikut. Jemi në një pjesë të zonës ku ka përmbytje edhe sot e kësaj dite, megjithëse nga dita e djeshme nuk ka pasur reshje shiu, rezulton që ujërat nuk janë larguar. Ka dëmtime të pronave të banorëve të kësaj zone. Padyshim, përveç tokave bujqësore, rezulton që ka dëmtime dhe në gjënë e gjallë, në bagëti dhe në pjesën ushqimore të bagëtive. Rezulton njëkohësisht që nga ana e bashkisë së Kurbinit, sepse kjo zonë mbulohet nga pjesa e Kurbinit, nuk ka pasur interesim në pjesën e kësaj zone ku ne ndodhemi së bashku edhe me deputetin Kastriot Piroli dhe njëkohësisht edhe me drejtuesit e Partisë Demokratike të kësaj zone, zotin Nika dhe zotin Hoxha. Njëkohësisht jemi edhe me banorë të zonës, të cilët siç i shihni edhe nga pamjet të cilët janë live dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, rezulton që ka përsëri ujë në tokat dhe në banesat e kësaj zone.

Në disa pjesë të Fushë-Milotit ka patur njerëz nga ana e bashkisë që të cilët janë interesuar, ndërsa në pjesën e Fushë-Kuqes dhe pjesën e Adriatikut, rezulton që nuk ka as edhe një lloj interesimi. Sot edhe kësaj dite nuk ka punonjës të bashkisë, as të institucioneve të tjera që mbulojnë emergjencat civile në lidhje me këtë zonë, që të jenë pranë qytetarëve dhe për të marrë edhe shqetësimet e tyre. Ashtu siç Partia Demokratike e ka deklaruar, qeveria duhet të kishte shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe duhet kompensimi dhe dëmshpërblimi 100% i banorëve të këtyre zonave, sepse nuk është hera e parë dhe kjo nuk ka ardhur për shkak të reshjeve të shiut, por është për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit dhe për shkak të mospastrimit të kanaleve kulluese dhe këtu kemi edhe banorë të zonës, të cilët kanë dëmtime edhe në pjesën e ushqimeve, të bagëtive dhe njëkohësisht edhe gjësë së gjallë, të cilët rezultojnë... nuk ndihet fare dora e pushtetit qendror dhe pushtetit lokal.