Banorët e Groenlandës të shqetësuar mes tensioneve gjeopolitike për ishullin
Banorët e Groenlandës po shprehin shqetësim në rritje, ndërsa ishulli gjigant i Arktikut është kthyer në qendër të një përplasjeje gjeopolitike, pas deklaratave të Presidentit amerikan Donald Trump se SHBA-të kanë nevojë për Groenlandën për arsye të sigurisë kombëtare.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet të zhvillojë javën e ardhshme një takim me zyrtarë danezë për të diskutuar të ardhmen e territorit gjysmë-autonom të Danimarkës. Ndërkohë, reagimet në Groenlandë janë kryesisht negative, me shumicën e banorëve që kundërshtojnë çdo ide për aneksim apo marrje me forcë të ishullit, shkruan BBC.
Groenlanda, nëntë herë më e madhe se Mbretëria e Bashkuar, por me vetëm rreth 57 mijë banorë – shumica Inuit indigjenë – është e pasur me burime natyrore dhe ka një rëndësi strategjike kyçe për sigurinë e Arktikut. Pavarësisht qetësisë që ofron peizazhi i saj i mbuluar me akull, ankthi politik është i pranishëm veçanërisht në kryeqytetin Nuuk.
Sipas sondazheve, rreth 85% e grenlandezëve kundërshtojnë një pushtim nga SHBA-të, ndërsa shumica shprehen pro pavarësisë nga Danimarka, edhe pse pranojnë rëndësinë e subvencioneve daneze për sistemin e mirëqenies. Varfëria mbetet një problem real në komunitetet Inuit, pavarësisht pasurive natyrore të pashfrytëzuara.
Deputetja Pipaluk Lynge-Rasmussen, bashkëkryetare e komisionit të punëve të jashtme në parlamentin e Groenlandës, theksoi se ishulli duhet të ketë zë të plotë në vendimet që lidhen me të ardhmen e tij. Ajo kritikoi Danimarkën për trajtimin e Groenlandës si “qytetarë të dorës së dytë”, por njëkohësisht nënvizoi se vëmendja ndërkombëtare aktuale mund të shfrytëzohet për të avancuar interesat e vendit.
SHBA-të tashmë kanë një bazë ushtarake në Groenlandë, bazuar në një marrëveshje të vitit 1951 me Danimarkën, dhe mund të dislokojnë trupa pa kufizim. Megjithatë, prania amerikane është reduktuar ndjeshëm që nga Lufta e Ftohtë. Administrata Trump argumenton se Danimarka nuk po bën mjaftueshëm për sigurinë e ishullit, një pretendim që Kopenhageni e hedh poshtë.
Interesi amerikan lidhet me pozicionin strategjik të Groenlandës në mbrojtjen raketore, kontrollin e lëvizjeve detare në Arktik dhe aksesin në burime natyrore si mineralet e rralla. Ndërkohë, Rusia dhe Kina kanë shtuar aktivitetin e tyre në rajon, duke rritur shqetësimet e sigurisë për NATO-n.
Aleatët perëndimorë shpresojnë se negociatat e ardhshme do të shmangin përshkallëzimin e tensioneve. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se balanca delikate e sigurisë në Arktik, e ruajtur për dekada, rrezikon të tronditet nga rivaliteti në rritje mes fuqive të mëdha.