Reshjet shkaktojnë rrëshqitje dherash dhe probleme me qarkullimin rrugor në Gjirokastër
Situata në qarkun Gjirokastër paraqitet përgjithësisht e qetë dhe në drejtim të normalizimit pas reshjeve intensive të ditëve të fundit. Në qytetin e Gjirokastrës nuk raportohen problematika të reja, ndërsa një grup gjeologësh nga Tirana ndodhet në terren që prej ditës së djeshme për vlerësimin e rrëshqitjeve të dherave në disa zona problematike. Ende nuk ka një raport përfundimtar dhe, për pasojë, në këto pika nuk është ndërhyrë, në pritje të rekomandimeve teknike. Bashkia Gjirokastër evidenton problematika kryesisht në zonat rurale të njësisë administrative Antigone.
Në Bashkinë Përmet, në aksin rrugor Çarçovë ka rënë trupi i rrugës, duke izoluar fshatin, ndërsa deri më tani nuk ka pasur ndërhyrje. Ndërkohë, rruga nacionale Gjirokastër–Tepelenë, pranë zonës së njohur si “Shkalla e Zezë”, paraqitet me rrezikshmëri të lartë dhe qarkullimi realizohet vetëm në një sens.
Në Bashkinë Memaliaj, rrugët në zonat rurale janë kryesisht të aksesueshme. Në njësinë administrative Buz, rrugët janë të kalueshme, por fshati Kurtjez mbetet pa energji elektrike për shkak të rënies së pemëve mbi linjat elektrike; punonjësit e OSHEE-së po punojnë për riparimin e defekteve. Në njësinë administrative Memaliaj Fshat, një nga rrugët e brendshme vijon të jetë e bllokuar, duke izoluar pesë banesa.
Në njësinë administrative Luftinjë, në fshatin Tosk Martalloz, në fund të lagjes Kërvaçkaj, ka rrëshqitje dherash që rrezikon një banesë. Për shkak të terrenit të vështirë dhe pjerrësisë së rrugës, ndërhyrja me mjete të rënda është e pamundur. Gjithashtu, në rrugën kryesore Agjencia e Luftinjës–Izvor janë evidentuar rënie pemësh, për pastrimin e të cilave po punohet.
Problematike mbetet edhe situata në njësinë administrative Krahës, konkretisht në fshatin Levan, ku janë regjistruar sërish rrëshqitje dherash edhe pas ndërhyrjes së ekipeve të bashkisë.
Sa i përket situatës hidrologjike, lumi Vjosë paraqitet në kuotën 3.5 metra, duke shënuar rënie të nivelit të ujit. Ndërkohë, në Këlcyrë, në fshatin Malëshovë, raportohen rrëshqitje të mëdha dheu, si dhe problematika të shumta me furnizimin me energji elektrike në disa zona rurale.
Strukturat vendore dhe ato të emergjencave civile vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa pritet raporti përfundimtar i specialistëve për të përcaktuar ndërhyrjet e nevojshme në zonat me risk.