Aksidenti në Klos/ Ndryshon dinamika e ngjarjes, arrestohet drejtuesi i mjetit që ra në përrua, nuk i dha ndihmë pasagjerit (EMRI)
Një aksident i rëndë ka ndodhur në fshatin Dars, Klos, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit. Drejtuesi i mjetit, shtetasi me iniciale Andi Losha 24-vjeç nga Klosi, dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit dhe pas ngjarjes nuk ka njoftuar policinë, duke u larguar nga vendngjarja.
Gjithashtu, ai nuk ka ofruar ndihmën e nevojshme për pasagjerin që ndodhej brenda automjetit, i cili dyshohet se është marrë nga rrjedha e përroit. Policia ka mundur të identifikojë dhe të arrestojë drejtuesin e mjetit, ndërkohë që shërbimet e RENEA-s, të Policisë dhe zjarrfikësve po vijojnë kërkimet për gjetjen e pasagjerit të zhdukur.
Aksidenti është ndodhur rreth orës 01:30 në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Klos
Ra me automjetin që drejtonte në përroin e fshatit Dars, nuk njoftoi Policinë dhe u largua nga vendngjarja, dyshohet se nuk i dha ndihmë pasagjerit në brendësi të automjetit, Policia identifikon, kap dhe arreston 24-vjeçarin.
Shërbimet e Policisë dhe polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet për gjetjen e pasagjerit, që dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.
Rreth orës 01:30, është marrë informacion se në vendin e quajtur ura e fshatit Dars, njësia administrative Klos, një mjet tip “Audi”, me targa angleze, ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e fshatit Dars.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe shërbimi zjarrfikës.
Nga veprimet e shpejta të kryera nga shërbimet e Policisë u bë i mundur identifikimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. L., 24 vjeç, banues në fshatin Fullqet, Klos.
Po nga veprimet dyshohet se në automjet ka qenë edhe një pasagjer, shtetasi J. K., 30 vjeç, banues në fshatin Fullqet, të cilin dyshohet se e ka marrë rrjedha e përroit.
Gjatë veprimeve për zbardhjen e rrethanave të aksidentit, shërbimet e Policisë kapën dhe arrestuan shtetasin A. L., 24 vjeç, i cili dyshohet se pas shkaktimit të aksidentit është larguar nga vendngjarja.
Ky shtetas iu nënshtrua testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se e drejtonte mjetin në gjendje të dehur.
Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s, shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit vijojnë kërkimet në përroin e fshatit Dars për gjetjen e pasagjerit, shtetasit J. K.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.