Reshjet e dendura shkaktojnë probleme në Mirditë, rrezikohen toka bujqësore dhe infrastruktura
Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë probleme të shumta në territorin e Bashkisë Mirditë. Prurjet e mëdha të Lumit Fan i Vogël kanë shkaktuar gërryerje të konsiderueshme, duke dëmtuar rreth 1 hektar tokë bujqësore në fshatin Kodër Rrëshen, si dhe linjën elektrike të zonës.
Në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Bashkia Mirditë ka bërë të mundur spostimin e shtyllave dhe rivënien në funksion të linjës elektrike. Megjithatë, situata mbetet shqetësuese, pasi ritmi i lartë i erozionit nga rrjedha e lumit rrezikon shembjen e rrugës kryesore të fshatit.
Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në afërsi të fshatit Tarazh, ku prurjet e Lumit Zmeja kanë shkaktuar gërryerje të shumta. Si pasojë, në një gjatësi të konsiderueshme ka dalë në sipërfaqe tubacioni kryesor i ujësjellësit, duke rrezikuar gjithashtu rrugën nacionale Rrëshen–Burrel.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi, bën me dije se projekti për mbrojtjen nga këta dy lumenj është përgatitur prej kohësh, por mungesa e financimit nga strukturat qendrore të emergjencave civile ka penguar zbatimin e tij.
Përballë situatës së krijuar, pritet të ndërhyhet në mënyrë emergjente nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit, në bashkëpunim me Bashkinë Mirditë, për devijimin e shtratit të lumenjve Fan i Vogël dhe Zmeja në pikat ku janë konstatuar gërryerjet më problematike.