Përmbytjet në Miliskajë/ Banorët nën ujë prej 4 ditësh: Shteti vjen vetëm për votime...

Përmbytjet kanë prekur edhe fshatin Miliskajë të Krujës. Banorët e zonës, prej 4 ditësh kanë mbetur në qiell të hapur, për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar banesat e tyre.

Ata shprehen se nuk mund të largohen, pasi kanë çdo gjë në fshat. Banorët u shprehën se autoritetet nuk kanë shkuar për t'i ndihmuar.

“Jemi përmbytur, ka 4 ditë. Jemi përmbytur të gjithë banorët e këtij fshati. Kanë sjellë dy pako oriz, dy pako makarona. As për t’u veshur jo. Këtu nuk ka ardhur as shteti, as komuna, as bashkia. I kanë frikësuar njerëzit. Unë nuk kam lidhje me asnjë. Ne jemi këtu, ka fermerë, këtu është fshat, kanë bagëti, nuk ka asnjë ndihmë. Edhe media ka pasur frikë që të vijë. Pa i marrë në telefon nuk vijnë. Ju faleminderit që erdhët. Të paktën një çadër të kemi. Sa të duash, është përmbytur edhe gjëja e gjallë. Nuk është rrugëzgjidhje, ti ke investuar, ke 20 vjet, nuk është rrugëzgjidhje që të ikim.

Nuk kemi nevojë, një makinë e kemi. Ka 30 vjet që jemi këtu, nuk shohim as kryetar bashkie, as kryetar komune, vijnë vetëm për vota. Këtu askush nuk vjen për të na pare, vetëm për vota. Nuk ia kam nevojën asnjeriu. Unë jam pukjan, problem ynë është që nuk do t'ia dijë askush. Nuk janë pastruar kurrë kanalet. Njerëzit kanë hallet e veta, kanë frikën e vet. Nuk do t’ia dijë askush që jemi gjallë'- tha një banor.

“Digën e kanë hapur vetë, nuk na ka përmbytur uji”, u shpreh një tjetër.

Ata i bëjnë apel shtetit për ndihmë, teksa kanë dëme edhe në gjënë e gjallë.

“I bëjmë apel Edi Ramës dhe të gjithë shtetit. Ka mbi dy metra ujë në zonë, janë përmbytur të gjitha shtëpitë. Janë të gjitha shtëpitë nën ujë. Me zor e kam nxjerr familjen. Kërkoj dëmshpërblim. Këto ditë, nga kemi mundur kemi qëndruar. Fëmijët e vegjël janë në spitale, janë me temperaturë 40. Asnjë nuk ka ardhur. Ka ardhur vetëm një makinë e ushtrisë, çfarë do bëjë e vetme? Ngeci në ujë. Është përmbytur e gjithë bagëtia, e ka marrë uji.”, tha një banor.