SYRI TV/ Durrsakët e përmbytur protestojnë për të dytën ditë! Banorët në revoltë, patronazhistët i kërcënojnë
Për të dytën ditë me rradhë qytetarët e Durrësit kanë protestuar para bashkisë së qytetit në shenjë revolte ndaj braktisjes që u kanë bërë strukturat shtetërore pas përmbytjeve të këtyre ditëve. Ata akuzuan qeverinë dhe pushtetin lokal si përgjegjës kryesor për përmbytjet dhe kërkuan dëmshpërblim të plotë për dëmet e pësuara. Qytetarët e revoltuar hodhën letra higjenike dhe domate ndaj godinës së bashkisë.
Nga SYRI TV
Qytetarët durrsakë protestuan sërish përpara bashkisë së qytetit për shkak të përmbytjeve masive.
Me pankarta në duar, duke ironizuar kryetaren e Bashkisë, Emirjana Sako dhe me thirrjet ‘poshtë korrupsioni’, ‘kukull korrupsioni’ dhe ‘Edi Rama frikacak’ protestuesit u mblodhën përpara institucionit të bashkisë.
Qytetarët akuzuan drejtpërdrejtë kryebashkiaken Emirjana Sako si dhe kryeministrin e vendit, Edi Rama, si shkaktarët kryesor të fatkeqësisë së tyre. Ata ngritën akuza për neglizhencë, mos marrje masash dhe per korrupsion, duke theksuar se nuk i ka përmbytur natyra, por dora e njeriut. Qytetarët kërkuan dëmshpërblim të plotë për të gjitha dëmet që u janë shkaktuar nga përmbytjet.
Nga ana tjetër, qytetarët u shprehën se pas protestës së një dite më parë, shumë banorë të prekur nga përmbytjet janë kërcënuar të mos protestojnë, pasi në të kundërt nuk do të marrin dëmshpërblim.
Protestuesit hodhën domate dhe letra higjienike në drejtim të godinës së bashkisë, në shenjë irritimi ndaj drejtuesve të institucionit, që nuk ka marr asnjë masë.