22 vite nga tragjedia e 9 Janarit, familjarët ende kërkojnë drejtësi! 28 të rinj humbën jetën në detin Jon
Në heshtje dhe me dhimbjen që nuk është shuar prej 22 vitesh, familjarët e viktimave të 9 Janarit u mblodhën për të kujtuar fëmijët e humbur dhe për të kërkuar drejtësi. Ata ritheksuan apelin drejtuar SPAK-ut për hapjen e dosjes së tragjedisë, e cila ende nuk ka sjellë përgjegjësi penale për mbytjen e 28 shqiptarëve në detin Jon më 9 janar 2004.
Nga SYRI TV
Në 22-vjetorin e tragjedisë së 9 Janarit, familjarët e fëmijëve që humbën jetën në këtë ngjarje të rëndë u mblodhën për të përkujtuar dhe për të kërkuar drejtësi. Ato shprehen se, edhe pas më shumë se dy dekadash, asnjë nga personat përgjegjës nuk është vënë para drejtësisë.
Shpresa e tyre u përqendrua te SPAK, por deri më tani kjo çështje nuk është marrë në shqyrtim nga ky institucion. Familjarët përsëritën apelin publik drejtuar SPAK-ut që të marrë në hetim dosjen e tragjedisë së 9 Janarit, me qëllim zbardhjen e plotë të saj.
Me 9 janar 2004, 28 shqiptarë u mbytën në ujërat e detit Jon, kryesisht ishin të rinj të Qarkut Shkodër, të moshave nga 15 deri në 33 vjeç.