SYRI TV/ SPAK amniston Benet Becin, akuzohet vetëm për pabarazi në tendera, përgjimet treguan si ndaheshin paratë
Ndonëse në përgjime dolën bisedat që Benet Beci ndante paratë e tenderave me vlera qindra-mijëra euro, SPAK duket se amnistoi kryebashkiakun e Shkodrës dhe bashkëshorten e Evis Berberit duke i çuar në gjykatë pa masa sigurie. Benet Beci i cili ishte një nga subjektet që iu shmang herë pas here drejtësisë, akuzohet vetëm për shkelje të barazisë në tendera në një procedurë prokurorimi kur drejtonte KESH-in, pavarësisht se në përgjimet që u zbuluan në telefonin e Berberit dhe bashkëshortes së tij, krijohen dyshime të forta për korrupsion e shpërdorim detyre.
Nga Syri TV
500 mijë euro për profesorët e HARVARD-IT’ dhe 320 mijë për ne me shkollë të mesme. Ky është një nga episodet e dosjes së kryebashkiakut të Shkodrës Benet Beci, që tregon mënyrën se si ndaheshinparatë e tenderave publike, teksa hetimi ndaj tij nisi gjatë kontrolleve për Evis Berberin ish-kreun e arrestuar të ARRSH-së.
Ndonëse tenderat nga Benet Beci, bashkëpunëtorët në biznes dhe në zyrë ndaheshin në këtë mënyrë, SPAK ka kursyer prangat për 8 të pandehurit përfshirë bashkëshorten e Berberit Adela Rukon.
Edhe pse Prokuroria e Posaçme ka prova të plota dhe përgjime, përfundoi hetimet dhe zbriti dosjen në GJKKO për nisjen e gjykimit ndaj Benet Becit dhe 7 të pandehurve të tjerë, por pa dhënë asnjë masë sigurie dhe pa zbardhur deri në fund aferën duke u bazuar vetëm në veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.
Siç duket edhe nga transkriptet telefonike, Adela Ruko, bashkëshortja e ish-kreut të arrestuar të ARRSH-së Evis Berberi, që rezulton të ketë qenë anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në procedurën e tenderimit, flet Benet Becin në kohën kur ky i fundit drejtonte KESH-in, pra autoritetin kontraktor të tenderit me fond limit rreth 700 mijë euro se si do të ndaheshin këto para.
E gjithë shumë në fjalë u dha vetëm për një projekt kërkimor, teksa faktet kryesore dolën gjatë hetimeve për Evis Berberin. Në një deklaratë për mediat, SPAK thotë se 8 të pandehurit përfshirë Becin dhe Rukon, kanë kryer veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera e kryer në bashkëpunim përmes veprimeve të paligjshme.
“Këto veprime kanë konsistuar në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve në dokumentacionin standard të tenderit, si dhe në fazën e vlerësimit të ofertave. Konkretisht, nga analizimi i provave të siguruara përmes përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit, provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e personit të marrë si i pandehur në një procedim tjetër, shtetasit Evis Berberi (bashkëshorti i të pandehurës Adela Ruko), si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore në kuadër të këtij hetimi, ka rezultuar se: I pandehuri Benet Beci, në detyrën e Administratorit të KESH sh.a., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit, të pandehurit Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, si dhe me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, të pandehurit Adela Ruko, Rudin Gjoni, Premtim Dauti, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k”
Benet Beci vijon të ushtrojë detyrën e kryebashkiakut të Shkodrës ndonëse i pandehur, teksa për ti komunikuar fizikisht akuzën u dëshën 3 shkresa të SPAK, pasi në dy prej tyre, përmes jusftikimeve që dha nuk u paraqit në organin hetues.