Afera me rusët/ Ahmetaj i shtoi edhe gjeopolitikën ‘skenarit venezuelas’ për Ramaduron

Kur një gazetë britanike publikoi një editorial pas kapjes së Maduros, ku thuhej se, të gjithë autokratët që manipulojnë zgjedhjet dhe shtypin opozitat, nuk duhet ta bëjnë të qetë gjumin tani e tutje, me siguri kanë pasur shumë emra në mendje.

Por nëse do të kuptosh se sa i qetë ndjehet Edi Rama pas atij rrëmbimi në mesin e natës, teksa sheh veten te çdo akuzë e ngritur publikisht ndaj Maduros nga SHBA, mjafton të shohësh reagimet në mediat e tij nga analistë me emër e pa emër.

Fillimisht u tha se skenari venezuelas nuk ka shans të ndodhë në Shqipëri për shkak se vendi ynë nuk ka naftë si Venezuela. Edhe pse mjafton që gjithkush të gugllojë pak dhe do e kuptojë se SHBA nuk e ka më problemin e naftës, ky variant u rrëzua nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.

Më pas, analistët me emër e pa emër nxituan të thonë se kapja e Maduros kishte arsye gjeopolitike, pasi SHBA synon të mbajë Kinën larg hemisferës perëndimore.

Për të gjithë ata skeptikë që mund të kenë dyshime, ish-numri dy i qeverisë së Edi Ramës, Arben Ahmetaj, e shtoi edhe gjeopolitikën në ‘skenarin venezuelas’.

Në intervistën e tij mbrëmë për Çim Peka LIVE, ai bëri një akuzë lemeritëse.

Ahmetaj denoncoi aferën skandaloze që po ndodh me portin e Porto Romanos, e cila vë në rrezik sigurinë kombëtare.

Ai vuri në dispozicion faktet që tregojnë se tenderi për ndërtimin e kësaj infrastrukture kritike për një vend anëtar të NATO-s, është fituar nga një kompani me lidhje të dyshimta me interesa ruse të sanksionuara.

Kjo kompani ishte e vetmja në garë pasi oferta të tjera nga kompani të mëdha perëndimore, përfshirë ato holandeze dhe franceze, u skualifikuan në rrethana të paqarta.

Sipas investigimit që ka bërë vetë Ahmetaj, kjo kompani si hallka e fundit e një zinxhiri kompanish që të çojnë tek gjiganti rus i naftës “Lukoil” që është e sanksionuar dhe biznesmeni rus i sanksionuar, Albert Avdolyan.

Ta mendosh që prej kohësh, Edi Rama po tenton ta implikojë edhe NATO-n në këtë aferë.

Para pak muajsh, madje në mënyrë tinëzare deklaroi në Bruksel se do të diskutojë në selinë e NATO-s edhe për çështjen e Porto Romanos. Por NATO u përgjigj ftohtë, duke e injoruar publikisht çdo qëndrim të tij.

Dhe nëse ky element gjeopolitik i skenarit venezuelas për autokratë si Edi Rama mund t’u duket i ri, mos harroni çështjen McGonigal, ku janë pleksur kaq shumë tradhtia, spiunazhi, ryshfetet dhe investimet me rusë dhe kinezë, sa as edhe një skenarist Hollivudi nuk do i kishte imagjinuar.