VIDEO/ Po ruanin 1 ton hashash me kallashnikovët gati, ja momenti kur policia arreston dy shqiptarë

Policia spanjolle arrestoi dy shqiptarë në Cádiz që ruanin një ton hashash me armë lufte

Nga M. Moguer, EL ESPANOL

Policia Kombëtare ka arrestuar dy shtetas shqiptarë në Cádiz, të cilët u kapën duke ruajtur një sasi prej një ton hashashi me armë lufte.

Sipas burimeve hetimore, të dy ishin të armatosur me pushkë automatike sulmuese të tipit kallashnikov (AK-47) dhe ndodheshin në një banesë në zonën Pelayo, në Algeciras.

Sipas policisë, droga kishte mbërritur në Cádiz përmes plazheve të Algeciras dhe Tarifës, ku narko-skafet kishin zbarkuar ngarkesën e hashashit që ruhej nga shqiptarët e arrestuar.

Aksioni policor është rezultat i një hetimi të mëparshëm, i cili bëri të mundur lokalizimin e një objekti të përdorur nga organizata kriminale si “guardería” – term që në zhargonin policor i referohet vendeve të përdorura për fshehjen dhe ruajtjen e sasive të mëdha të drogës.

Gjatë operacionit, agjentët arrestuan dy persona me origjinë shqiptare, përgjegjës për ruajtjen e ngarkesës, të cilët kishin në dispozicion tre armë kallashnikov të mbushura me municion, në gjendje perfekte funksionimi dhe me aftësi të menjëhershme për të hapur zjarr.

Përdorimi i këtij lloji armësh nga organizatat e trafikut të drogës konsiderohet me “rrezikshmëri të veçantë” në zonën e Campo de Gibraltar, e cilësuar si një zonë “veçanërisht e ndjeshme” për shkak të rëndësisë së saj strategjike në rrugët e narko-trafikut.

Muajt e fundit, policia ka konstatuar rritje të dhunës dhe përdorimit të armëve të zjarrit nga këto rrjete kriminale për të mbrojtur ngarkesa të mëdha hashashi dhe kokaine, si kundër veprimeve të policisë, ashtu edhe ndaj bandave rivale.

Sipas Policisë Kombëtare, ky operacion përbën një “goditje të rëndësishme” për organizatat kriminale që veprojnë në zonë dhe “ripohon angazhimin e palëkundur” të këtij institucioni në luftën kundër krimit të organizuar në Campo de Gibraltar.