Fullkrug prezantohet te Milani: Shpresoj të jem në lartësinë e numrave 9 të mëdhenj
Pas dy paraqitjeve të para me fanellën kuqezi, Niclas Fullkrug është prezantuar zyrtarisht si përforcimi i ri i Milanit, duke treguar entuziazëm dhe respekt të madh për klubin ku ka mbërritur. Sulmuesi gjerman ka theksuar se ambientimi i tij ka qenë i shpejtë falë pritjes shumë pozitive nga skuadra: “U përshtata lehtë, u prita në mënyrë të jashtëzakonshme. Kam gjetur një grup të shëndetshëm, të bashkuar dhe me shumë energji”.
Fullkrug ka marrë mbi vete një peshë të madhe duke zgjedhur fanellën me numrin 9, simbol historik për Milanin. “Numri 9 për mua do të thotë gola. E di që këtu ka një peshë shumë të madhe dhe se e kanë veshur sulmues të jashtëzakonshëm. Shpresoj të jem në lartësinë e kësaj fanele”, është shprehur 32-vjeçari.
Ai është ndalur edhe te debutimi në “San Siro” në barazimin 1-1 ndaj Genoas: “Kisha luajtur këtu si kundërshtar me Borussia Dortmundin, por ta bësh këtë me fanellën e Milanit është diçka edhe më e veçantë. Ky klub ka diçka magjike. Do të kisha dashur të shënoja, por e pranojmë këtë pikë dhe shohim përpara”.
Gjermani ka komentuar edhe episodet e diskutueshme të ndeshjes, veçanërisht kontaktin me Ostigard: “E ndjeva qartë këmbën e kundërshtarit mbi timen. Mendoja se ishte penallti ose të paktën që arbitri të shkonte te VAR-i, por nuk duhet të justifikohemi vetëm me arbitrin”.
Duke folur për objektivat, Fullkrug ka qenë i qartë: “E njoh historinë dhe ambicien e Milanit. Duam të qëndrojmë lart dhe objektivi është vendi i katërt. Për historinë e tij, Milani duhet të jetë në Champions League”. Nën drejtimin e Massimiliano Allegrit, sulmuesi shpreson të japë kontributin e tij me gola të rëndësishëm dhe prezencë në zonë.