Lideri suprem i Iranit, Khamenei: Protestuesit po përpiqen të kënaqin Trumpin!
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha të premten se disa nga ata që protestojnë në Teheran dhe qytete të tjera në të gjithë vendin, po e bëjnë këtë, vetëm për të “kënaqur” Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.
“Mbrëmë në Teheran dhe në disa qytete të tjera, një grup njerëzish të vendosur për shkatërrim erdhën dhe shkatërruan ndërtesa që i përkasin vendit të tyre, me qëllim që ta kënaqin Presidentin e SHBA-së dhe ta bëjnë atë të lumtur”, shkroi Khamenei në X pavarësisht ndërprerjes së internetit në vend.
“Presidenti amerikan ka thënë se nëse qeveria iraniane bën këtë e atë, unë do të marr anën e protestuesve. Protestuesit i kanë varur shpresat e tyre tek ai”, tha ai.
‘Trump – ashtu si udhëheqës të tjerë botërorë “arrogantë” si ish-Shahu i rrëzuar i Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, i cili u rrëzua nga pushteti në Revolucionin Islamik të vitit 1979 – përfundimisht do të bjerë nga pushteti’, shtoi udhëheqësi.
Khamenei paralajmëroi se populli iranian “nuk do t’i tolerojë punëtorët me pagesë të fuqive të huaja”.
"Me vullnetin e Zotit, Zoti do të sjellë shumë shpejt ndjenjën e fitores në zemrat e të gjithë popullit iranian", përfundoi ai.
Të enjten në mbrëmje, Irani përjetoi demonstratat më të mëdha që nga fillimi i valës aktuale të protestave që shpërthyen në fund të dhjetorit.
Aparati iranian i sigurisë ka ndërprerë plotësisht internetin për popullsinë, për më shumë se 14 orë.
Khamenei la të kuptohej për një goditje të ashpër nga forcat e sigurisë. "Republika Islamike erdhi në pushtet me gjakun e disa qindra mijëra njerëzve të nderuar", e citoi atë transmetuesi shtetëror iranian, i cili publikoi fjalimin e Khameneit në Telegram.
"Republika Islamike nuk do t'u nënshtrohet atyre që veprojnë në mënyrë shkatërruese. Ajo nuk toleron shërbimet mercenare për të huajt", tha ai.
Raportime për vdekje të shumta
Ndërkohë, raportet për vdekje të shumta po shtohen, pasi forcat e sigurisë dyshohet se hapën zjarr ndaj demonstruesve të enjten.
Video të paverifikuara në rrjetet sociale, tregojnë të rinj të mbuluar me gjak në dyshemenë e një ndërtese në një periferi pranë Teheranit pas një tubimi.
Transmetuesi shtetëror raportoi për demonstratat, që “u infiltruan nga elementë terroristë” dhe tha se disa njerëz kishin humbur jetën të enjten.
Fluturimet u anuluan
Disa linja ajrore turke kanë pezulluar përkohësisht fluturimet për në Iran, për shkak të "zhvillimeve rajonale", raportoi agjencia e lajmeve Anadolu.
Pegasus anuloi fluturimet për të premten, ndërsa Turkish Airlines anuloi fluturimet për të premten dhe të shtunën për në Teheran, Mashhad dhe Tabriz.