Rilindja e Edoardo Bove-s nis nga Anglia, pranë firmës me klubin e Championship-it

Pas frikës së madhe dhe një periudhe të gjatë larg fushave, karriera e Edoardo Boves është gati të rifillojë nga Anglia. Mesfushori italian, i lindur në vitin 2002, është shumë pranë firmës me Watfordin, klub që militon në Championship. Lajmi raportohet nga Fabrizio Romano, sipas të cilit marrëveshja është pothuajse e mbyllur dhe vetë lojtari po shtyn fort për transferimin, me synimin e vetëm: rikthimin në futbollin aktiv.

Për ta bërë të mundur këtë hap, Bove ka zgjidhur me konsensus kontratën me Romën disa ditë më parë. Vendimi lidhet drejtpërdrejt me rregulloret shumë të rrepta shëndetësore në Itali. Pas arrestit kardiak të 1 dhjetorit 2024, i ndodhur gjatë ndeshjes Fiorentina–Inter, dhe implantimit të një defibrilatori nënlëkuror, mesfushorit i është ndaluar aktiviteti agonistik në Serie A.

Edhe pse fizikisht i rikuperuar dhe nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor, Bove nuk mund të luajë në kampionatin italian. Për këtë arsye, ai ka zgjedhur rrugën e jashtme, duke ndjekur shembullin e Christian Eriksen-it, për të mos hequr dorë nga ëndrra e tij për të vazhduar karrierën si futbollist profesionist. Anglia, me Premier League dhe Championship, ofron një kornizë rregullatore më fleksibile në këto raste.

Watfordi, në pronësi të Gino Pozzo-s, djalit të Giampaolo Pozzo-s, dhe me Gianluca Nanin si drejtor sportiv, aktualisht renditet në vendin e gjashtë në Championship. Klubi londinez synon rikthimin në elitë dhe e sheh Boven si një përforcim me vlerë, jo vetëm sportive, por edhe njerëzore. Për mesfushorin italian, kjo është më shumë sesa një kontratë: është një fillim i ri.