Vjosa përmbyt fshatra të tëra, banorët denoncojnë mungesë ndihme nga shteti
Prej tre ditësh, lumi Vjosa mban nën presion banorët e njësisë administrative Novoselë, në qarkun e Vlorës, duke shkaktuar përmbytje masive në disa fshatra dhe dëme të konsiderueshme materiale. Situata më problematike paraqitet në Bishan, Mifol, Delisuf, Fitore dhe Poro.
Siç raporton nga terreni gazetari i SYRI TV, Gentjan Këllçiu, kulmi i përmbytjeve u shënua një ditë më parë, kur niveli i lumit Vjosa arriti kuotën 9.5 metra mbi nivelin e detit, duke dalë nga shtrati dhe përmbytur pothuajse të gjithë zonën.
“Dje, kalimi në urën e vjetër të Mifolit ishte i pamundur, një situatë e paparë më parë nga banorët, pasi niveli i ujit kaloi mbi urë”, raporton gazetari nga vendngjarja.
Situata u agravua ndjeshëm në fshatin Bishan, ku rreth orës 02:00 të mëngjesit, si pasojë e çarjes së argjinaturës në dy vende, uji vërshoi me shpejtësi në banesa, oborre dhe katet e para të shtëpive.
“Pothuajse e gjithë zona e fshatit Bishan u pushtua nga uji gjatë natës, duke mbushur banesat dhe oborret”, raporton Këllçiu.
Banorët përjetuan orë të rënda dhe, sipas dëshmive të tyre, ndihma institucionale ka munguar në momentet më kritike.
“Banorët janë shprehur se kanë qenë gjatë gjithë natës pa gjumë. Disa kanë kërkuar ndihmë, por askush nuk ka ardhur. Një i moshuar tregoi se kishte gruan e paralizuar dhe u përpoq vetë ta çonte deri në katin e dytë”, citon gazetari dëshmitë nga terreni.
Bilanci paraprak flet për rreth 20 banesa të përmbytura vetëm në fshatin Bishan, si dhe 14 banesa të tjera në njësinë administrative Novoselë. Tre banesat e para që u mbuluan nga uji ndodhen pranë urës së Mifolit. Dëme janë raportuar edhe në 10 banesa të komunitetit rom, ku jetojnë 10 familje.
Përtej banesave, goditjen më të rëndë e ka marrë bujqësia. Hektarë të tërë tokash bujqësore janë pushtuar nga uji, ndërsa serat me të mbjella kanë dalë jashtë funksionit, duke shkatërruar investimet e banorëve të Bishanit.
Banorët shprehen se ende nuk kanë marrë dëmshpërblime për përmbytjet e viteve të kaluara, duke ngritur shqetësime për kompensimin e kësaj përmbytjeje të re.
Aktualisht, niveli i Vjosës ka rënë dhe situata paraqitet më e qetë, por problematikat vijojnë. Tregu i gjësë së gjallë në Mifol vazhdon të jetë i rrethuar nga uji, ndërsa nënkalimi që lidh fshatin Bishan me disa fshatra të tjera mbetet problematik për automjetet e vogla.
Në ndihmë të banorëve kanë ndërhyrë dy automjete të ushtrisë dhe emergjencat civile, të cilat kanë evakuuar disa familje dhe kanë ndihmuar për furnizimin me ushqime.
Megjithatë, shqetësimi mbetet i lartë për ditët në vijim.
“Edhe pse niveli i lumit ka rënë, prezenca e ujit vazhdon në disa banesa dhe toka bujqësore në Bishan dhe pranë urës së Mifolit. Rreziku mbetet për shkak të reshjeve të tjera të paralajmëruara dhe prurjeve nga Përmeti dhe Gjirokastra”, raporton Këllçiu.
Autoritetet pritet të bëjnë vlerësimin e plotë të dëmeve, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe dëmshpërblim për humbjet e pësuara.