‘Makina m’u mbyt në ujë, banka më kërkon kredinë’/ Banori nga Katundi i Ri: S’kam status servili që të kompensohem!

Situata vijon të jetë problematike në disa zona të Durrësit pas përmbytjeve të ditëve të fundit. Ndonëse uji ka nisur të tërhiqet, pas ka lënë dëme të mëdha dhe banorë të izoluar. I tillë është rasti i Arif Dërmishajt, banor në zonën e Katundit të Ri, i cili rrëfen kalvarin e tij mes ujit, borxheve dhe harresës institucionale.

Përmes një lidhje direkte për edicionin e pasdites në Syri Tv, ai tregoi se nuk mund të arrijë në banesën e tij, pasi rruga është tërësisht e pakalueshme. Së bashku me banorë të tjerë, lëvizja për të siguruar ushqimet bazë si bukë e qirinj, bëhet e mundur vetëm me gomone të Forcave të Armatosura. Për qytetarin, kjo nuk është një situatë e re. Ai tregon se kjo është një dramë e përsëritur prej vitesh, që i ka shkaktuar dëme kolosale.

“Makina është prishur, ka ngecur në rrugë. E kam blerë me kredi prej 4 milionë lekësh të vjetra, jam debitor në bankë dhe vazhdoj paguaj këstet,” shprehet ai, duke përllogaritur një dëm total ndër vite prej rreth 30 milionë lekësh të vjetra. Përballë kësaj situate, ai ndjehet i harruar.

Sipas tij, në zonën ku banon prej vitit 1992, preken 46 familje, të cilat kujtohen nga autoritetet vetëm në prag zgjedhjesh. “Zero kompensim kam pasur për çdo rast,” pohon ai, duke shtuar se banorët janë ata që kanë kontribuar personalisht për të shtruar rrugën, e cila vijon të jetë e pambrojtur nga vërshimet. Historia e tij pasqyron realitetin e dhimbshëm të dhjetëra familjeve në Katundin e Ri, të cilët çdo vit përballen jo vetëm me furinë e natyrës, por edhe me atë që ata e cilësojnë si indiferencë të institucioneve.

Po nuk e di, për momentin, në fakt ata po i presim, me gomone se kështu ishte llafi, që do blejmë ndonjë ushqim se... Bleva bukë, një palë çizme dhe pak qirinj, edhe për mungesë të energjisë elektrike. Kjo nuk është rasti i parë. Kjo është rasti i përsëritur me vite. Ka nja tre-katër vjet që nuk ka dalë. Nuk e dinë nga vjen po sipas autoriteteve thonë sikur kur hapin atje në Tiranë liqenin, rezervuarët, ça kanë thanë, nuk e di.

Por gjithsesi është e pamundur për të ikur në banesë. Përveç dëmeve, që na kanë bërë dëme kolosale. Mua më një automjet njëherë, para gjashtë viteve, e kam prishur. Kurse tani aktualisht, unë e punoj diku si rojë atje në Porto Lalëz. Jam nisur dje për të dalë. Më ka hyrë uji në makinë, makina është prishur edhe ka ngecur në rrugë. Tani nuk kam raste se s'kemi ku filmojmë se është pa dalë automjetin për ta parë, i cili është i blerë me kredi prej 4 milionë lekë të vjetra, që jam debitor në bankë dhe vazhdoj paguaj për çdo muaj nga 100 mijë lekë të vjetra. Dhe kjo është rasti i përsëritur.

Nuk është hera e parë. Zero kompensim, unë si person, zero kompensim kam pasur për çdo rast. Mua s'më ka dhënë kush. Se nuk jam pjesë, se jam i ardhur nga Afganistani. Unë faktikisht Tropoja kam ardh, por kam ardh më '92-shin, e nuk përfitoj statusin e pronarit, as statusin e servilit, po jam qytetar si gjithë shqiptarët, si gjithë njerëzit e kësaj bote.

Dje nuk dola se me shpresë, se unë banoj vetëm me gruan. Edhe ajo ka frikë me nejt vetëm në errësirë e të tjera. Nuk dola. Sot pranova për të dalë se ishim pa ngrënë. Mora një bukë, pak qiri, pak çizme. Jo, në fakt 10, çka ka mbuluar uji se janë të tjera, po janë 46 familje duke marrë këtë këtu. Për bri, duke marrë këtu për bri janë 46 familje. Që u duhen vetëm një datë i duhemi. Vetëm... janë katër vite. Për të tjera ne jemi numra. Disa herë. Në fakt, këtë rrugë që sheh, ne e kemi shtruar me kontribut personal. Kam punuar 16 vite në emigrim. Njëherë e kam shtruar personalisht vetë. Një... dy herë të tjera e kemi shtruar me kontribut... me borxhe me gjëra me këta që kemi ngulur.

Automjeti i dytë që më prishet. Edhe, momentalisht më ka prishur një lavatriçe dhe 46 pula i kam pasur, nuk... s'kam dalë dot për t'i parë, se s'kam çizme peshkatarësh. Sot i vesha këto çizme, nuk hyn uji sot. Se sot ka pasur rënie uji. Por në total, nuk e di çfarë mund të jenë. Më gjen rreth 30 milionë lekë të vjetra, dëme që ndër vite, kuptohet, jo, jo këtë rast. Po nuk jam marrë asnjëherë në konsideratë. Asnjë rast. Unë quhem Arif Dërmishaj, mund ta verifikoni, mund ta... që nuk kam marrë asnjë rast, zero kompensim. Edhe në bindjen time, në rastin më të mirë kanë marrë tre-katër familje, jo më shumë.