Piktura, fjala dhe pushteti: paralajmërimi që u injorua.

Nga Felix Bilani/

Si piktura dhe fjala paralajmëruan një mënyrë pushteti që sot po e jetojmë

Ky shkrim nuk nis nga politika. Niset nga pikturat. Nga ato vepra që, po t’i shohësh si artist dhe jo si tifoz, nuk komunikojnë por pushtojnë. Nuk dialogojnë por mbivendosen. Ngjyra nuk flet, bërtet. Forma nuk bind, dhunon. Kjo nuk është thjesht stil i fortë, është dhunë simbolike e pakanalizuar. Brenda artit, kjo dhunë mund të jetë ventil, por sapo kjo mendje del nga kanavaca dhe hyn në jetën reale, problemi bëhet politik, sepse një mendje që nuk dialogon në art, nuk dialogon as në shoqëri.

Nga këto piktura del një strukturë mendore e qartë,  zero kufij, zero negociatë, zero empati. Një mendje që nuk duron pluralitetin dhe e sheh botën si material për t’u riformatuar, në art kjo mbetet shprehje. Në pushtet bëhet shkatërrim sepse nuk sheh individë, sheh vetëm masa, nuk sheh njerëz, sheh objekte. Psikologjikisht, pushteti nuk e rregullon njeriun, pushteti e amplifikon atë , nuk i ndryshon mendjen, i heq frenat, pa pushtet, kaosi mbetet personal, me pushtet, kaosi kërkon rregullimin e botës, dhuna kërkon justifikim moral, dhe e gjen.

Kjo nuk është ide e re. Walter Benjamin paralajmëroi se fashizmi estetizon politikën. Theodor W. Adorno lidhi estetikën totale me autoritarizmin. Hannah Arendt e përshkroi totalitarizmin si strukturë mendore që nuk negocion. Susan Sontag tregoi si dhuna bëhet e pranueshme kur paketohet bukur, dhe historia njeh figura konkrete. 

Benito Mussolini ishte gazetar dhe publicist që e ktheu politikën në teatër. Adolf Hitler ishte piktor i dështuar që e shndërroi obsesionin estetik në ideologji racore. Mao Zedong, poet dhe kaligraf, e pa shoqërinë si material për t’u riformatuar. Pol Pot e çoi “pastërtinë” ideologjike deri në zhdukje njerëzore. Slobodan Milošević e ktheu mitin në armë politike pra të gjithë kishin diçka të përbashkët, prodhonin simbole, fjalë, imazhe dhe narrativë përpara se të prodhonin dhunë reale.

Këtu hyn rasti i Edi Rames ku  përpara se të bëhej kryeministër, ai ishte piktor dhe publicist,  ka shkruar në vitet 90 në Koha Jonë dhe ka botuar librin publicistik Kurbani, dhe kur një autor që shfaq në pikturë mungesë dialogu dhe prirje për pushtim total, dhe që flet në monolog edhe në publicistikë, merr pushtet politik real dhe afatgjatë, pyetja është e pashmangshme......çfarë ndodh me një shoqëri të tërë?

Pasojat e kësaj qeverisjeje, të përshkruara gjerësisht nga media dhe nga vetë realiteti i përditshëm, flasin për përqendrim pushteti, shuarje dialogu dhe dobësim institucionesh. Askush nuk thotë se pikturat apo librat e shkaktuan këtë,  por është e pamundur të mos pyesësh veten nëse arti dhe fjala...........a nuk ishin paralajmërim? 

Pra, rreziku nuk është arti. Rreziku është kur një strukturë mendore kalon nga piktura dhe publicistika te ligji, nga fjala te urdhri, nga xhesti te shteti. Pushteti nuk e bën mendjen të dhunshme, por pushteti e bën dhunën të ligjshme,  dhe aty, shoqëria e paguan çmimin.

Përveç pikturës paralajmëruese, ekziston edhe një paralajmërim i dytë, po aq i qartë.... libri Kurbani. Ky libër nuk është thjesht publicistikë politike, është pasqyrë e së njëjtës strukturë mendore që shfaqet në piktura, por e përkthyer në gjuhë. Kurbani nuk e trajton politikën si proces institucional, si kontratë shoqërore apo si menaxhim pluraliteti , politika këtu shfaqet si rrëfim personal, si histori e “meje” përballë “të tjerëve”, si konflikt moral, jo si debat racional.

Kundërshtari tek Kurbani nuk trajtohet si palë legjitime, por si pengesë, si keqkuptim, si prapambetje morale. Nuk ka dialog real, ka monolog. Nuk ka përballje argumentesh, ka ndarje mes të ndriçuarit dhe atij që “nuk kupton”, kjo është thelbësore, sepse kur politika shihet si shprehje e vetes, dhe jo si menaxhim i pluralitetit, pushteti fillon të perceptohet si e drejtë personale, jo si përgjegjë kolektive.

Në këtë kuptim, Kurbani funksionon njësoj si pikturat, nuk lë hapësirë për tjetrin, ashtu si ngjyra që mbulon gjithë letren apo kanavacen , gjuha mbulon gjithë fushën e debatit. Dhe kur kjo mënyrë të menduari, e dukshme si në art ashtu edhe në publicistikë, kalon në pushtet real, paralajmërimi bëhet i plotë. Nuk kemi të bëjmë me rastësi, por me vazhdimësi. Piktura paralajmëroi përmes formës,  kurbani paralajmëroi përmes fjalës. Dhe historia ka treguar se kur arti dhe fjala flasin me të njëjtin ton monologjik, pushteti që vjen pas tyre rrallëherë di të dëgjojë.