Boks/ Tyson Fury përgatit rikthimin: Kam lindur për të luftuar, nuk ngjitem në ring për paratë

Tyson Fury mund të përballet me gjigantin e peshave të rënda Arslanbek Makhmudov, pasi bëri një kthesë drastike duke u rikthyer sërish në ring pas tërheqjes.

Ish-kampioni i botës dy herë në peshat e rënda kishte njoftuar pensionimin nga boksi në janar të vitit të kaluar, pas dy humbjeve radhazi ndaj rivalit të tij të hershëm Oleksandr Usyk. Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë dhe “luftëtari nga Morecambe” ndryshoi mendje, duke zbuluar në korrik synimin e tij për t’u rikthyer në ring në vitin 2026.

Ditët e fundit, Fury është parë duke u stërvitur në Tajlandë së bashku me boksierin profesionist Kevin Lerena.

“Gypsy King” pritet të zhvillojë një ndeshje përgatitore përpara një përballjeje të madhe këtë verë me një emër të njohur. Arslanbek Makhmudov është shfaqur si një kundërshtar i mundshëm për rikthimin e Furyt.

Gjiganti 1.98 m i gjatë nuk ka luftuar që nga fitorja me vendim ndaj britanikut David Allen në tetor.

I pyetur për një përballje të mundshme mes tyre, promotori i Furyt, Frank Warren u shpreh: “Ai është një djalë shumë inteligjent. E di saktësisht çfarë dëshiron të bëjë dhe si të arrijë atje”. Pasi njoftoi pensionimin për herë të pestë në janar, shumë figura të komunitetit të boksit nuk janë të befasuar nga rikthimi i afërt i britanikut. Duke pasur parasysh gjithçka që ka arritur në ring, “Gypsy King” këmbëngul se paratë nuk janë arsyeja e rikthimit të tij. Në një video të postuar në “Instagram”, Fury u shpreh kështu: “Kam fituar gjithçka, nga titujt rajonalë në Angli deri te titujt supremë botërorë… dy herë boksier i vitit, dy herë Ring Magazine, WBC… çdo titull botëror për të cilin kam luftuar. Për mua, nuk ka asgjë tjetër përveç boksit. E dua këtë sport. Nuk ka të bëjë me përfitime financiare”.

Më tej gjiganti britanik shtoi: “Mund të isha pensionuar 10 vite më parë. Kam fituar një pasuri. Nuk është për paratë, edhe pse gjithmonë dua një marrëveshje të mirë. Është dashuria për boksin. Jam 37 vjeç, mbush 38 këtë vit, jam i madh në moshë, por më pëlqen të luftoj. Nuk kam interesa të tjera… vetëm boksi. Jam lindur dhe rritur për të luftuar. Fati im është i lidhur me këtë sport. Në fund, ndoshta do të përfundoj si shumë të tjerë, por kjo është loja që zgjodha, kjo është jeta që zgjodha. Nuk po ndalemi. Nuk po largohemi”, deklaroi Fury.

Pas humbjes së dytë ndaj Usyk në dhjetor 2024, Fury ka kërkuar një trilogji me ukrainasin, por vetëm nëse zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar. 37- vjeçari së fundmi zbuloi një “listë me tre emra”, ku përfshihet Usyk, si dhe Anthony Joshua dhe Fabio Wardley.