Dëmtimi enigmatik i Luiza Gegës, reagon trajneri: Ja e vërteta...

Hije dyshime për dëmtimin e Luiza Gegës. Dy ditë më parë, u bë i ditur lajmi se atletja shqiptare pësoi një dëmtim në stërvitje, gjë që e bën të humbasë Kampionatin Botëror të Atletikës që po zhvillohet në Londër.

Vetëm dy ditë përpara garës ku Shqipëria do të përfaqësohej me të vetmen sportiste në këtë kompeticion dhe pritshmëritë ishin të mëdha, në mënyrë enigmatike dhe krejtësisht të paqartë, lajmërohet dëmtimi i atletes.

Kur dihet rëndësia e një kompeticioni të tillë, sportistët profesionistë mundohen të ruhen, të paktën në ditët e fundit dhe dëmtimi i Gegës vetëm 48 orë përpara garës lë hije dyshimi. Fakti që nuk ka asnjë reagim dhe sqarim nga vetë atletja në lidhje me këtë çështje për të sqaruar se si u dëmtua, çështja bëhet enigmatike.

Këtë e përforcon edhe më shumë fakti që vetë presidenti i Federatës, Gjergj Ruli, hedh dyshime për këtë rast. Përfundimisht, Shqipëria nuk përfaqësohet me asnjë sportist në Kampionatin Botëror të Atletikës që po zhvillohet në Londër.

Më datën 1 gusht, vetë Gega në konferencë për shtyp deklaroi se do të jepte maksimumin në këtë kompeticion dhe se pretendonte të shkonte në finale në garën e 3000 m/p.

TRAJNERI – Ndërkaq, ka reaguar për gazetën trajneri i atletes, Taulant Stërmasi. Ky i fundit ka hedhur dritë për dëmtimin e Gegës dhe shprehet se është një zhgënjim i madh kjo që ka ndodhur. “Erdhi dëmtimi në momentin më të papërshtatshëm të mundshëm.

Jemi munduar që të evitojmë dëmtimet pasi ishte e vetmja gjë që mund të ndalte Luizën në progresin e saj në garën e saj të 3000 m/p. Po kalonte një formë shumë të mirë sportive, por ndonjëherë nuk është fati me të. Sigurisht, dëmtimi vjen për disa shkaqe të parashikuara e të paparashikuara. Infrastruktura e munguar ka qenë një nga shkaqet kryesore që la jashtë këtij Botërori Luizën.

Në këto raste, unë e Luiza jemi të vegjël para këtyre problemeve që sado të mundohemi, nuk ngelin zgjidhjet në dorën tonë. Jemi vërtet të mërzitur pasi rezultatet e Luizës në “Diamond League” në Oslo 9.26.05 dhe në Bursa Turqi 1 muaj më parë me kohën 9.29.18 i jepnin atletes tonë kualifikimin për në finale”, deklaroi Stërmasi në reagimin e tij për gazetën.

Në këtë mënyrë, pas Smajlajt, edhe Gega nuk do të marrë pjesë në Botërorin e Atletikës duke bërë që Shqipëria të mos përfaqësohej me asnjë sportist në këtë kompeticion./ panorama sport